Netanyahu zbulon trajtimin e fshehtë për kancer në prostatë: U shmang publikimi për të mos u përdorur si propagandë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se i është nënshtruar në heshtje trajtimit për një kancer të prostatës në fazë të hershme, duke e mbajtur të fshehtë diagnozën për arsye sigurie dhe politike.
Netanyahu, 76 vjeç, tha se pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për zmadhimin e prostatës në vitin 2024, gjatë kontrolleve të mëvonshme mjekësore u zbulua “një njollë e vogël më pak se një centimetër” në prostatë. “Pas ekzaminimit, rezultoi të ishte një fazë shumë e hershme e një tumori malinj, pa asnjë përhapje ose metastazë”, deklaroi ai.
Sipas tij, ndonëse tumori nuk kërkonte trajtim urgjent, vendosi t’i nënshtrohej disa seancave të shkurtra trajtimi, të cilat rezultuan të suksesshme. “Shkova në disa trajtime të shkurtra, lexova një libër dhe vazhdova të punoja… njolla u zhduk plotësisht”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë izraelite theksoi se kishte kërkuar shtyrjen e publikimit të rezultateve të kontrollit të tij vjetor mjekësor me rreth dy muaj. Arsyeja, sipas tij, ishte shmangia e shfrytëzimit të kësaj çështjeje nga Irani në kontekstin e konfliktit në zhvillim.
“Kërkova që publikimi të shtyhej në mënyrë që të mos lejohej regjimi iranian të përhapte propagandë të rreme kundër Izraelit”, tha Netanyahu.
Zyra e Kryeministrit publikoi gjithashtu dokumente shoqëruese nga mjekët e tij, të cilat konfirmojnë se ai aktualisht gëzon gjendje të mirë shëndetësore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




