Abissnet Superiore në RTSH/ Elbasani luan shansin e parakalimit sot ndaj Vllaznisë, sfidë delikate në Vlorë

Abissnet Superiore | 6 muaj më parë

Java e 33-të e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, mbyllet mbrëmjen e sotme me dy ndeshje shumë të rëndësishme, Elbasani-Vllaznia dhe Flamurtari-Dinamo. Janë dy sfida që prekin si kreun e renditjes, “Final 4” dhe mbijetesën në elitë.

Natyrisht, vëmendja do të jetë më shumë në Elbasan, ku ekipi vendës pret Vllazninë e vendit të parë me synimin për ta kaluar në kreun e tabelës. Dikush e ka vlerësuar këtë ndeshje si më të rëndësishme edhe se derbi Tirana-Partizani, duke parë situatën dhe ndikimin që mund të kenë këto 90 minuta në garën e fortë të titullit kampion.

Skuadra e trajnerit Gvozdenoviç do të ketë në favor mbështetjen e madhe të tifozëve dhe fushën e saj. Elbasani vjen pas eliminimit nga Kupa dhe dy fitoreve radhazi në kampionat, ku sot synon parakalimin për t’i shtuar shanset vetes në “Final 4”. Vllaznia ka 60 pikë aktualisht, kurse Elbasani 59. Prej javësh mungojnë portieri Janaçek dhe kapiteni Lulaj te verdheblutë.

Vllaznia në anën tjetër mund të kënaqej edhe me një barazim, sepse do të ruante pozitat në një ndeshje transferte ndaj rivalit direkt. Shkodranët vijnë në këtë përballje pas eliminimit nga Kupa, ashtu si kundërshtari. Kastrati dhe Bismark janë mungesat për trajnerin Martini.

Ndeshje mjaft delikate është edhe ajo e Vlorës, ku Flamurtari pret Dinamon. Për vlonjatët, të cilët mbyllin renditjen me 29 pikë, është “treni i fundit” në luftën për mbijetesë. Çdo rezultat tjetër veç fitores do t’i kompromentonte pozitat e tyre.

Dinamo ndërkohë shpreson të përfitojë nga humbja e Partizanit për të konsoliduar vendin e katërt, i fundit që të çon në “Final 4”. Trajneri Ilir Daja do të ketë disa mungesa, siç janë Andre Teixeira, Lorran, Mustafa dhe Berisha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme