Shtyhet seanca në GJKKO, Kryemadhi: Akuzat për përfitime individuale nga Ligji i Minierave janë të pabaza. S’ka përfitime personale nga vendimet kolegjiale
Monika Kryemadhi u paraqit në seancën e parë të gjykimit në themel në GJKKO, në çështjen ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Pas përfundimit të seancës, Kryemadhi deklaroi për mediat se akuzat ndaj saj lidhen me përfitime të pretenduara personale nga ligji i minierave, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim kolegjial të marrë nga deputetët në Kuvend dhe jo një vendim individual.
Ajo hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë, duke sqaruar edhe çështjen e një prone të përfolur. Sipas saj, ideja për blerjen e një shtëpie që më pas është anuluar nuk përbën shkelje.
“Thashë që dua të marr një shtëpi, kam shkuar ta shoh dhe e kam anuluar. Prokuroria thotë që kjo është korrupsion. Unë kam blerë një shtëpi që është te Kodra e Diellit; është puna si me fustanin, ku provon disa dhe merr njërin. Edhe me shtëpinë është njësoj: unë kam parë disa dhe kam marrë një tjetër. Por prokuroria thotë se kjo shtëpi që paska parë më parë është shpërblim për ligjin e minierave, ku e para, shtëpia nuk ekziston, dhe e dyta, ligji është vendim kolegjial dhe nuk është personal që unë kam përfituar. Ne do të kërkojmë të gjithë dëshmitarët, pasi një nga akuzat është çështja e ligjit të minierave, pra ndërhyrje për përfitim financiar. Nuk mund të jetë një vendim kolegjial përgjegjësi personale”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se mbrojtja do të kërkojë thirrjen e të gjithë dëshmitarëve, pasi një nga akuzat kryesore lidhet me ndërhyrje të pretenduar për përfitime financiare përmes ligjit të minierave. Kryemadhi kritikoi edhe sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar atë të ndikuar politikisht.
“Tani fillon beteja ligjore me drejtësinë dhe një sistem drejtësie që funksionon me regjim politik dhe jo në një shtet të së drejtës, që do të funksionojë me statistika duke mbajtur në burg Metën dhe Veliajn, ku thonë se kemi numra dhe statistika që ligji funksionon. Drejtësinë dhe gjykimet i bën kryetari i partisë, që është Edi Rama”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



