Abissnet Superiore në RTSH/ Elbasani merr kreun, Tirana fiton derbin, ndizet lufta për mbijetesë

Java e 33-të e “Abissnet Superiore” u mbyll këtë mbrëmje me dy përballjet e fundit, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e lartë të konkurrencës dhe emocionet që shoqërojnë fazën vendimtare të kampionatit.
Në “Elbasan Arena”, AF Elbasani regjistroi një fitore shumë të rëndësishme 3-1 ndaj Vllaznisë, duke marrë kryesimin e renditjes. Verdheblutë ngjiten në kuotën e 62 pikëve, ndërsa shkodranët mbeten në vendin e dytë me 60 pikë.
Në Vlorë, Flamurtari triumfoi 3-1 ndaj Dinamo City, duke mbajtur gjallë shpresat në javët e fundit të sezonit. Skuadra vlonjate vazhdon të mbetet në vendin e fundit me 32 pikë.
Java prodhoi emocione edhe në sfidat e tjera. Tirana fitoi derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit me përmbysje 2-1, ndërsa rezultate pozitive siguruan edhe Bylisi dhe Vora. Ballshiotët mposhtën Teutën 2-0 në shtëpi, ndërsa Vora fitoi me të njëjtin rezultat në transfertë ndaj Egnatias.
Tre javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, gara mbetet plotësisht e hapur, si për kreun ashtu edhe për zonën e mbijetesës. Tirana, Bylis dhe Vora ndajnë të njëjtën kuotë me 35 pikë, ndërsa Teuta ka 38 pikë, duke e bërë çdo ndeshje të mbetur vendimtare për fatet e sezonit.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




