“Tralog” në RTSH, avokati Ndreca: Kafazi i xhamit cenon barazinë dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, GJKKO po aplikon dy standarde
Dinamikat e “gjyqeve të mëdha të politikës” dhe trajtimi i zyrtarëve të lartë në sallat e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) kanë hapur një debat ligjor mbi të drejtat e të pandehurve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.
Gjatë një debati në emisionin “Trialog” në RTSH, të moderuar nga Alba Alishani, avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka zbuluar arsyet e mungesës së klientit të tij në seancat gjyqësore. Krahas panelit të përbërë nga analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, Ndreca ka hedhur akuza për aplikimin e standardeve të dyfishta nga ana e drejtësisë.
Precedenti “Beqja” dhe standardet e dyfishta
Pikënisja e argumentit të Ndrecës ishte vendimi i fundit i gjykatës për të lejuar ish-ministrin Ilir Beqja që të ndjekë seancat gjyqësore i ulur në krah të avokatit të tij, duke shmangur kështu qëndrimin brenda “kafazit të xhamit”.
Sipas mbrojtësit ligjor, ky trajtim, ndonëse i drejtë për Beqjan, tregon një qasje të pabarabartë të gjykatës ndaj rasteve të ngjashme.
“Uroj që kjo e Beqajt të jetë një precedent i mirë. Ky precedent duhet t’i hapë rrugë faktit që të pandehurit që nuk përbëjnë rrezikshmëri të lartë fizike, të jenë në krah të mbrojtësve të tyre ligjorë. I njëjti standard duhet të vlejë edhe për prangat, sepse Kushtetuta thotë që të pandehurit duhet të gjykohen në mënyrë të lirë,” deklaroi Ndreca.
Strasburgu dhe shkelja e prezumimit të pafajësisë
Për avokatin Ndreca, praktika e mbylljes së të pandehurve prapa kafazeve prej xhami është kthyer në një forcë zakoni nga institucionet e drejtësisë, pa pasur një argument të mirëfilltë ligjor për rastet kur nuk ka rrezikshmëri. Ai u shpreh se kjo praktikë bie ndesh me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Sipas tij, i pandehuri duhet të ketë mundësi të komunikojë lirshëm me avokatin e tij, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e gjyqtarit sa herë që kërkohet një konsultim.
Ndreca theksoi se sipas jurisprudencës së Strasburgut, vendosja e të pandehurit i veçuar nga trupa mbrojtëse dhe prapa hekurave ose xhamave krijon një perceptim paraprak fajësie, duke dëmtuar paritetin e armëve në një proces gjyqësor.
Duke e lidhur këtë parim me rastin e klientit të tij, Ndreca sqaroi se mungesa e kryebashkiakut Erion Veliaj në seancat e deritanishme nuk është një shmangie nga drejtësia, por një refuzim për të marrë pjesë në një proces ku atij i mohohen kushtet e barabarta të mbrojtjes.
“Veliaj duhet të jetë në krah meje. Xhami është për raste specifike, nuk është rregull. Një ndër arsyet që Veliaj nuk vjen në seancë është se nuk do të marrë pjesë në një proces ku nuk ndihet i barabartë. Kjo cenon prezumimin e pafajësisë. Kjo është arsyeja pse ai nuk është në sallë,” përfundoi avokati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




