Euroliga në RTSH: Panathinaikos e nis play off-in me fitore

Basketboll | 6 muaj më parë

Play off-i në Euroligë ka nisur me një ndeshje spektakolare, e cila përfundoi me fitoren e Panathinaikos në fushën e Valencias me rezultatin 67-68. Një takim ku skuadra spanjolle nuk kaloi kurrë në avantazh dhe mundi të barazojë vetëm në një moment në fund.

Që në minutat e para vrulli i Kendrick Nunn i dha skuadrës helene një shkëputje prej 10 pikësh, 5-15. Valencia, emotive në aksionet e para, gaboi disa herë në pasim por dhe në gjuajtje. Nga ana tjetër Panathinaikos u shfaq me një mbrojtje të hekurt si asnjëherë tjetër në këtë sezon.

Teksa minutat kalonin, në pjesën e parë skuadra spanjolle u fut në lojë rreth fundit të periodës së dytë. Megjithatë, edhe pse diferenca u ngushtua, problemi qëndronte konstant tek spanjollët të cilët kishin një përqindje shumë të ulët në shënim.

Kjo bëri që Panathinaikos edhe pse jo me një sulm shumë të saktë dhe gjithëpërfshirës, ta mbajë avantazhin me 10 pikë për një kohë të gjatë.

Pjesa e dytë është më e ekuilibruar dhe Valencia bën hapa të mëdhenj përpara duke arritur në periodën e katërt me diferencë të ngushtë. Në dy minutat e fundit vjen dhe barazimi i parë 63-63, më tej kur shifrat shënonin 67-67 me dy gjuajtjet e lira të Monteros, Nunn merr përsipër në aksionin e fundit dhe i shkaktohet faull kur mbeteshin dhe 2 sekonda.

Shënon vetëm 1 prej tyre dhe Valencia kishte mundësinë e fundit. Por Montero nuk arrin të gjejë hapësirën e duhur për të gjuajtur dhe koha skadon. Ndaj kjo fitore e parë i shkon Panathinaikos si dhe udhëheqin serinë 1-0.

Ndeshja e ardhshme mes tyre është pas dy ditësh në Valencia ndërsa javën e ardhshme Panathinaikos e pret për 2 ndeshje në Athinë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme