By-pass-i i Fierit, qeveria akordon mbi 416 milionë lekë për shpronësimet e fundit

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në vendimin për shpronësimet që prekin ndërtimin e segmentit rrugor “By-pass Fier”. Ky vendim synon të mbyllë procesin e kompensimit për pronarët e pasurive të paluajtshme në një nga akset më kritike për infrastrukturën rrugore në jug të vendit.
Sipas vendimit të zbardhur, vlera totale e vënë në dispozicion për këtë fazë shpronësimi arrin shifrën prej 416,791,749 lekësh. Ky fond do të shërbejë për të kompensuar kategoritë e ndryshme të pasurive që janë prekur nga trupi i rrugës.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë për një sipërfaqe prej 837,335 m² tokë bujqësore, me vlerë rreth 400 milionë lekë, si dhe për objekte dhe tokë truall në zonën ku shtrihet projekti.”, thuhet në vendim.
Vendimi i ri saktëson masën e kompensimit sipas tabelave të reja bashkëlidhur, ku përfshihen:
Tokë bujqësore: 837,335.03 m² (Vlera: 400,103,448 lekë)
Tokë truall: 170 m² (Vlera: 406,300 lekë)
Objekte: (Vlera: 16,282,001 lekë)
E gjithë fatura financiare, përfshirë edhe shpenzimet procedurale prej 70,000 lekësh, do të përballohet plotësisht nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Institucionet përgjegjëse
Për të garantuar zbatimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe kalimin e fondeve te qytetarët, qeveria ka ngarkuar një sërë institucionesh, ku spikasin:
“Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës janë ngarkuar për kryerjen e të gjitha procedurave ligjore dhe kalimin e pronësisë në favor të shtetit.”
Ky hap konsiderohet vendimtar për sistemimin e plotë të dokumentacionit të pasurive në segmentin “Fier – By-pass Levan”, duke i dhënë fund pretendimeve pronësore në këtë aks që lehtëson lëvizjen drejt bregdetit të jugut. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare për transparencë të plotë ndaj palëve të interesuara.
/rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




