Dy të rinj kapen me kokainë dhe kanabis në Fier – Policia sekuestron qindra doza gati për shitje
Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë dy shtetas, T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, banues në fshatin Grabian, Divjakë, pasi u kapën duke shpërndarë lëndë narkotike.
Sipas hetimeve, dyshohet se këta persona siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e përgatisnin për shitje në zona të ndryshme.
Operacioni policor i koduar “Flagranca” u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”. Shërbimet e Policisë ndërhynë në momentin që të rinjtë po lëviznin me automjet në fshatin Grabian, duke i kapur me lëndë narkotike të ndarë në doza, gati për shitje.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesa u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza kokainë dhe kanabis, një automjet i përdorur për transport, një grirëse për përpunimin e lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




