Aksidenti fatal në Pogradec, policia prangos 24-vjeçaren pas vdekjes së këmbësorit të moshuar

Aktualitet | 6 muaj më parë

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen ka shënuar një fund tragjik për një të moshuar në fshatin Udënisht. Pas hetimeve paraprake, Policia ka vënë në pranga drejtuesen e automjetit të përfshirë në ngjarje.

Sipas njoftimit zyrtar nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, është arrestuar në flagrancë shtetasja E. S., 24 vjeç, banuese në Udënisht. Mbi të renë rëndon akuza për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, ku 24-vjeçarja, teksa drejtonte automjetin e saj, ka përplasur këmbësorin Z. D., 80 vjeç, gjithashtu banues në fshatin Udënisht.

I moshuari mori plagë të rënda dhe u transportua me urgjencë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Megjithë përpjekjet e mjekëve, 80-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve dhe ka ndërruar jetë në spital.

Materialet procedurale për këtë ngjarje i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Organi i akuzës do të vijojë me veprimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të drejtueses së mjetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme