Sara Mila për punimet e Korridorit VIII: Bashkia të jetë pranë qytetarëve të Elbasanit

Politikë | 6 muaj më parë

Shqetësimet e banorëve të qarkut të Elbasanit në lidhje me ecurinë e implementimit të projektit të Korridorit VIII u ngritën sot në seancën plenare nga deputetja e PS-së, Sara Mila, e cila ka listuar edhe disa problematika me të cilat po ndeshen banorët në terren.

“Vetëm këto ditë, në kuadër të Punët e Shqipërisë, kam vizituar 12 herë Paprin, ku ky proces po ndeshet edhe me disa problematika. Në Broshkë, kërkohet azhurnimi i tokave dhe ndërtimi i rrugëve dytësore paralele me korridorin, sepse pa to, qarkullimi i ambulancave, zjarrfikëseve dhe mjeteve bujqësore bëhet i vështirë. Në Valas, banorët kërkojnë një zgjidhje për rrugën e Canëve, me një nënkalim funksional që garanton lëvizjen normale. Ndërkohë, shumë familje nuk figurojnë në fletoret zyrtare ose kanë pasaktësi në sipërfaqe. Në Papër, parcelat janë ndarë dhe fermerët nuk mund të qarkullojnë normalisht në tokat e tyre, ndërsa mungojnë ende emra dhe saktësi në dokumentacion”, u shpreh deputetja Mila.

Duke u ndalur në problematikat e tjera në zonat që preken nga ky projekt, ajo shtoi se “në Vidhas, shumica e familjeve bujqësore nuk figurojnë fare në lista dhe mungesa e rrugëve dytësore e bën aksesin në tokë pothuajse të pamundur, ndërsa në Balldren përsëriten të njëjtat shqetësime: mungesë emrash, pasaktësi në sipërfaqe dhe paqartësi mbi kompensimin.”

Duke iu bërë thirrje edhe kolegëve demokratë të këtij qarku që të bëhen bashkë për të mirën e banorëve, Mila kërkon nga ana e bashkisë të jetë pranë njerëzve, të verifikojë rastet, të garantojë transparencë dhe të japë përgjigje.

“Ky projekt i madh kombëtar të shoqërohet me një kujdes po aq të madh për çdo familje që prek. Që zhvillimi të mos jetë vetëm infrastruktura, por edhe drejtësi për njerëzit që jetojnë pranë tij. Aksi Papër – Elbasan i ka të gjitha mundësitë të shkëlqejë, Korridori VIII është garancia europiane e Elbasanit; por ne do të duhet të procedojmë si europianë gjithashtu, sidomos në dëgjesat e problematikave të atyre që përfaqësojmë”, tha ajo nga foltorja e Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme