Aksidenti tragjik në Durrës ku humbën jetën 2 të mitur, AMP hetim për shkelje të detyrës nga uniformat blu

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisi një hetim të thelluar për shkeljet e mundshme ligjore të uniformave blu të qytetit të Durrësit, lidhur me veprimet në kohë të ndryshme të autorit të aksidentit tragjik, ku humbën jetën 2 të mitur, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.
Burime nga AMP thanë se po kryhen veprime të thelluara për të vërtetuar nëse vdekja e dy të miturve erdhi si pasojë e neglizhencës së drejtpërdrejtë të uniformave blu.
AMP po verifikon edhe të gjithë denoncimet e qytetarëve dhe reagimet zyrtare në përgjigje të tyre, ku synohet që të zbulohet nëse pas aksidentit tragjik të shkaktuar nga N.R. fshihet një zinxhir shkeljesh të detyrës, që nis nga efektivi i patrullës e deri te drejtuesit më të lartë.
Ky hetim i AMP-së vjen një ditë pas pezullimit të të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Durrësit nga drejtori i Policisë së Shtetit dhe hetimit që firmosi për çështjen, veprime që po kryhen nga Drejtoria e Standardeve në dikasterin blu.
Aksidenti i rëndë u regjistrua pasditen e 3 majit në zonën e njohur si ish-Këneta. Fatkeqësisht, dy të mitur humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa një tjetër, vetëm 8 vjeç, mori plagë të rënda. Ai ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagime të shumta për problematikën e sigurisë rrugore dhe nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




