Berisha: Po marshonim paqësisht na bllokuan, Rama do marrë përgjigjen e merituar

Kryedemokrati Sali Berisha reagoi ashpër ndërkohë që zhvillohej protesta e Partisë Demokratike, duke akuzuar policinë për bllokimin e marshimit paqësor të opozitës drejt Ministrisë së Brendshme.
“Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë, ishim në një marshim paqësor. Dhe marshimi ynë paqësor, u shkelmua Kushtetuta, u shkelmua çdo gjë, u bllokua rruga. Dhe këta në mënyrë absolute do marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot sepse ne po bënim marshimin tonë, marshim paqësor në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi veprimin e forcave të policisë si “një krim të shëmtuar”, duke theksuar se protestuesit po kryenin një marshim paqësor.
Kur Berisha u pyet nga gazetarët se pse opozita nuk u lejua të marshonte drejt Ministrisë së Brendshme, Berisha u përgjigj: “Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin, po ne do përgatitemi për të gjitha format, dhe i garantoj se e kanë të humbur 100 përqind. Turpe. Mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Belinda Balluku. Mbrojnë Linda Ramën dhe Mirlindën e AKSHI-t. Mbrojnë hajdutë të shpërfytyruar të këtij kombi. Dhe këtë e bën një mercenar, se do u tregojmë se cili është Skënder Balluku”.
Ndërkaq, më herët vetë Berisha ra pre e goditjes me ujë nga policia. Teksa protestuesit kishin nisur marshimin drejt Ministrisë së Brendshme, forca të shumta policie u kanë hedhur gaz lotsjellës dhe ujë. Ashtu siç shihet edhe në video, autoboti me ujë është drejtuar nga kreu i PD-së Berisha ndërsa disa protestues janë afruar me çadra për ta mbrojtur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



