Incidenti i parë pas armëpushimit, ushtria e Kuvajtit: Neutralizuam dronë armiqësorë në hapësirën ajrore

Botë | 6 muaj më parë

Ushtria e Kuvajtit njoftoi se ka zbuluar dhe trajtuar disa dronë armiqësorë në hapësirën ajrore të vendit gjatë agimit të së dielës.

Ky është incidenti i parë i këtij lloji që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në luftën me Iranin në muajin prill. 

Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore reagoi menjëherë duke neutralizuar mjetet fluturuese pa pilot, ndërsa nuk raportohet për viktima apo dëme materiale. 

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën me një sulm të ngjashëm, ku mbrojtja ajrore e tyre ndali dy raketa balistike iraniane dhe tre dronë, duke lënë tre persona të plagosur. 

Kuvajti kishte raportuar më herët përballje të mbrojtjes ajrore me raketa dhe dronë iranianë gjatë konfliktit, përfshirë një valë sulmesh më 8 prill që shënjestruan infrastrukturën jetësore të vendit. 

Incidenti i fundit shihet si një provë e brishtësisë së armëpushimit dhe rrezikut të rikthimit të tensioneve në rajon, ndërsa autoritetet kuvajtiane kanë theksuar se do të vijojnë të mbrojnë hapësirën ajrore dhe sigurinë kombëtare. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme