BE, rregulla të reja për mediat sociale, pritet të propozojë ligj për rritjen e moshës së përdoruesve të mitur
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se do të propozojë një rritje të moshës minimale për fëmijët në Evropë që përdorin mediat sociale, duke shtuar se legjislacioni i ri mund të paraqitet brenda disa muajsh.
Zyrtarja e lartë evropiane i ka kërkuar një paneli ekspertësh të pavarur që të raportojë deri në korrik mbi hapat që BE duhet të ndërmarrë për të mbrojtur të miturit në internet, duke përfshirë një ndalim të mundshëm të mediave sociale.
“Diskutimi rreth një moshe minimale për përdorimin e mediave sociale nuk mund të injorohet më” – nënvizoi ajo gjatë një samiti në Kopenhagen, duke iu referuar Danimarkës dhe nëntë shteteve të tjera anëtare, të cilat kërkojnë të ndalojnë mediat sociale për adoleshentët nën një moshë të caktuar. Australia u bë vendi i parë në botë që vendosi një ndalim për personat nën 16 vjeç dhjetorin e kaluar dhe vendet evropiane po planifikojnë të ndjekin shembullin e saj.
“Pyetja nuk është nëse të rinjtë duhet të kenë qasje në mediat sociale, por nëse mediat sociale duhet të kenë akses tek të rinjtë.”- u shpreh Von der Leyen. Komisioni Evropian është mbikëqyrësi dixhital i BE-së dhe ka nisur tashmë disa hetime në platformat më të mëdha online në botë, përfshirë TikTok, Facebook e Instagram, nëse ato po bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët. Von der Leyen mbrojti ligjin e përdorur për të nisur hetimet, i njohur si Akti i Shërbimeve Dixhitale, i cili është kritikuar ashpër nga administrata amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




