“Prag Eurovizion”, Kaçinari: Festivali i Këngës Europiane, skena ku Shqipëria prezanton kulturën e saj

Televizion | 6 muaj më parë

Radio Televizioni Shqiptar do të vijë me programin special “Prag Eurovision”, një hapësirë televizive dedikuar atmosferës dhe emocioneve të Eurovision Song Contest 2026. Emisioni do të transmetohet nga ora 20:30 deri në 21:00 dhe do të moderohet nga Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi.

Në fokus të programit do të jetë edhe rrugëtimi i Shqipërisë në Eurovizion ndër vite, si dhe ndikimi që festivali ka pasur në promovimin e artistëve dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

I ftuar në studion, dirigjenti dhe muzikanti Alfred Kaçinari u shpreh se interesi i shqiptarëve për Eurovizionin ka qenë gjithmonë i madh, madje edhe në periudhën kur Shqipëria nuk merrte pjesë në këtë kompeticion.

Sipas Kacinarit, pjesëmarrja në të njëjtën skenë me kultura të mëdha europiane është një moment i rëndësishëm për identitetin artistik shqiptar. Ai vlerësoi gjithashtu evolucionin teknologjik të festivalit, duke theksuar se Eurovizioni sot është kthyer në një spektakël vizual me standarde shumë të larta.

“Interesi për Eurovision është historik. Mbaj mend një këngëtare nga Luxembourg që kishte kënduar këngën “Zogu Lua Zog”. Edhe kur ne nuk merrnim pjesë, që në kohën e sistemit tjetër, përpiqeshim ta ndiqnim dhe ta shihnim. Sigurisht që interesi është i madh, sepse Eurovizioni është një mundësi promovuese shumë e madhe. Një skenë të ngjashme nuk e kemi, madje shumë artistë nuk e kanë, sepse audienca e Eurovizionit tejkalon imagjinatën, 150–160 milionë shikues çdo vit.

Dhe, në kundërshtim me hamendësimet tona, rreth 60% e audiencës janë të rinj të moshës 15–24 vjeç. Kjo për një artist është e rëndësishme. Për ne është shumë e rëndësishme edhe nga pikëpamja e kulturës shqiptare në përgjithësi, sepse jo vetëm konfirmojmë standardet tona, por performojmë në të njëjtën skenë me kulturat më të rëndësishme të botës, gjermane, italiane, angleze, franceze. Momenti kur arrijmë të jemi të barabartë me to në atë kontekst është shumë i rëndësishëm për ne.

Më pas orkestrat live u hoqën. Nuk i di arsyet e tyre, sigurisht jo financiare, sepse buxhetet janë të paimagjinueshme. Ndoshta fokusi është zhvendosur më shumë drejt teknologjisë dhe spektaklit vizual, sepse aty eksperimentohet me çdo gjë të re që lidhet me skenën, ndriçimin dhe efektet pamore. Megjithatë, për mua që merrem me muzikë, interpretimi me orkestër ka një tjetër vlerë. Gjendja emocionale është krejt ndryshe, pavarësisht përsosmërisë teknike, sepse Eurovizioni sot shkon drejt një perfeksioni pothuajse absolut”, u shpreh Kaçinari.

Në kujtimet e tij për përfaqësimet shqiptare, ai veçoi performancën e Rona Nishliu me këngën “Suus”, të cilën e cilësoi si një interpretim me përmasa të jashtëzakonshme artistike.

Një tjetër moment i rëndësishëm, sipas tij, ishte pjesëmarrja e Shkodra Elektronike në edicionin e kaluar, që ai e përshkroi si një ndërthurje të kulturës tradicionale shqiptare me modernitetin muzikor.

Kacinari zbuloi gjithashtu se Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca kishin marrë një vlerësim të veçantë nga drejtori artistik i Eurovizionit, i cili kishte deklaruar se kënga e tyre “përfaqëson muzikën”.

“Ne kemi pasur vite të pjesëmarrjeve që kanë qenë shumë të mira. Le të themi, për estetikën time, për shijen time, do të përmend Rona Nishliu dhe pjesëmarrjen e vitit të kaluar të Shkodra Elektronike.

Rona ishte me një këngë shumë të frymëzuar, të madhe, me përmasa të jashtëzakonshme dhe, në një kuptim, shkonte në kontrast, sepse pa arritur pothuajse vetëm me orkestrën simfonike dhe timpanët, ishte një këngë shumë e frymëzuar nga Florent Boshnjaku, mikut tonë, kolegut tonë dhe bashkëpunëtorit tonë të hershëm. Sigurisht, pastaj vokali i Ronës ia dha dhe ia vulosi, si të thuash, atë identitet dhe e bëri një markë.

Ndërsa pjesëmarrja e vitit të kaluar ka qenë, si të thuash, një prerje e artë midis një kulture shumë të vjetër, ajo këngë të kthente shumë vite pas, drejt një kulture tradicionale shumë të hershme.

Këto lloj këngësh janë shumë të vështira për t’u bërë; ose krijohen në një moment të caktuar, ose nuk bëhen kurrë. Ka qenë edhe një zgjidhje shumë inteligjente e grupit, domethënë e Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Laca-s.

Madje, ata morën një kompliment shumë të madh një ditë para natës finale, pikërisht nga drejtori artistik i Eurovision-it, i cili tha: “Ajo këngë përfaqëson muzikën.” Është një fjalë shumë e madhe kjo. Është tjetër gjë të thuash “kjo këngë ishte e bukur”, dhe tjetër gjë të thuash “ajo këngë përfaqëson muzikën”. Kjo është tepër e rëndësishme për ne shqiptarët dhe, në këtë pikëpamje, për ta përmbledhur diskutimin, mendoj se ne kemi pasur arritje shumë të mira, të cilat e tejkalojnë, të paktën në muzikë, kulturën tonë modeste”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme