Fier, 2-vjetori i rënies në detyrë të efektivit Novruz Çenalia – shpallet “Dëshmor i Atdheut” në ceremoni përkujtimore

Në Baltëz të Fierit është zhvilluar paraditen e sotme ceremonia përkujtimore me rastin e 2-vjetorit të rënies në krye të detyrës të efektivit të Policisë së Shtetit, Novruz Çenalia.
Në këtë ceremoni të mbushur me ndjenjë respekti dhe dhimbjeje morën pjesë , drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erjon Ahmeti, kolegé dhe punonjës të Policisë së Shtetit si dhe të afërm e familjarë.
Në nderim të veprës dhe jetës së tij, pjesëmarrësit vendosën kurora me lule pranë varrit të efektivit Çenalia, duke përkujtuar jo vetëm aktin e tij të sakrificës, por edhe vlerat njerëzore dhe profesionale që e karakterizonin.
Drejtori Ahmeti, teksa u bëri të ditur familjarëve se në këtë 2-vjetor efektivit Çenalia i është akorduar statusi i “Dëshmorit të Atdheut”, theksoi se sakrifica e tij do të qëndrojë përherë në piedestalin më të lartë të Policisë së Shtetit.
Çenalia u vra mesditën e 13 majit 2024, gjatë ushtrimit të detyrës, pasi ndaloi një automjet dhe i kërkoi drejtuesit të mos lëvizte me shpejtësi në rrugë.
Autori i krimit, Azgan Merrnica, reagoi me armë zjarri duke e qëlluar për vdekje efektivin e policisë.
Ngjarja u konsiderua një sulm i rëndë ndaj uniformës së shtetit dhe rendit publik, ndërsa autori i vrasjes u dënua me 35 vite burg nga Gjykata dhe aktualisht vuan dënimin në IEVP Fier. Ky vendim u shoqërua me reagime të forta nga opinioni publik, duke e cilësuar aktin si një goditje të rëndë ndaj strukturave të rendit.
Ceremonia e sotme në Baltëz shënoi jo vetëm kujtimin e një efektivi që ra në krye të detyrës, por edhe nderimin e tij si “Dëshmor i Atdheut”, duke e vendosur sakrificën e Novruz Çenalia në kujtesën institucionale dhe shoqërore si një shembull i përjetshëm i përkushtimit ndaj detyrës dhe mbrojtjes së rendit publik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



