81 vjet Radio Shkodra- Jalldiz Kastrati, pjesë e historisë së institucionit mediatik: Kam hyrë fëmijë dhe kam dalë nënë
13 maji i këtij viti shënon 81-vjetorin e krijimit të Radio Shkodrës, institucionit emblematik të medias në veri të vendit. Mes shumë zërave që kanë qenë pjesë e historisë e saj është edhe Jalldiz Kastrati, e cila rikthehet pas tre dekadash në ambientet e radios.
“Më paska marrë malli sinqerisht për të hyrë në këtë ambient ku unë u rrita. Kam hyrë fëmijë dhe kam dalë në kushtet e nënës me fëmijë në dorë”, tha Kastrati.
Kastrati kujton jo vetëm fillimet në Radio Shkodra në mesin e viteve ’70 por edhe paragjykimet që vinin për shkak të biografisë së të atit, doktor Nuri Kastrati.
“Babën e kisha gjallë në atë kohë dhe gjithmonë më thoshte: Shih për një punë tjetër, sepse do të vijë një ditë që ti do të hidheshe në rrugë, për arsye se, meqenëse unë jam i padëshirueshëm për pushtetin në fuqi, detyrimisht do t’i vijnë radhë edhe ty”, kujton ajo.
Gjatë karrierës në Radio Shkodra, ajo ka kontribuar si folëse, redaktore dhe kronikane. Kastrati thekson se ishte plotësisht e vetëdijshme se media e asaj kohe i shërbente ideologjisë së partisë-shtet, por pavarësisht kësaj, përkushtimi ndaj profesionit dhe dashuria për radion ishin të forta.
“Ishte e vetmja rrugë me dritë jeshile për mua, që detyrimisht unë do t’i bëja hyzmetin”, tha ajo.
Sot, Jalldiz Kastrati ushtron profesionin e juristes, por një pjesë e rëndësishme e kujtimeve dhe dashurisë së saj vazhdon të mbetet e lidhur me Radio Shkodrën.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



