“Dhuro nga vetja”, studentë dhe qytetarë i përgjigjen thirrjes për dhurim gjaku
“Dhuro nga vetja” ishte motoja e seancës së radhës të dhurimit vullnetar të gjakut në Shkodër, e organizuar nga Klubi Studentor i Universitetit Universiteti “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
Jo vetëm dhjetëra studentë dhe pedagogë, por edhe qytetarë të tjerë të Shkodrës iu përgjigjën thirrjes për këtë akt human, në ndihmë të pacientëve talasemikë.
Vera Gjinaj, koordinatore e Kryqit të Kuq në Shkodër, vlerësoi pjesëmarrjen dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit për dhurimin vullnetar të gjakut.
“Personat që po dhurojnë sot gjak janë kryesisht studentë dhe staf, ndërsa një pjesë e mirë e dhuruesve janë familjarë që janë vetëofruar për të ndihmuar personat më në nevojë për gjak, që janë pacientët talasemikë”, tha ajo.
Studentët, njëkohësisht dhurues dhe organizatorë të kësaj nisme, shprehen se iniciativa të tilla jo vetëm ndihmojnë pacientët në nevojë, por edhe forcojnë ndjenjën e solidaritetit dhe humanizmit mes të rinjve.
Në Shkodër organizohen shpesh seanca të dhurimit vullnetar të gjakut nën kujdesin e degës së Kryqit të Kuq, veçanërisht për të ndihmuar të sëmurët talasemikë. Megjithatë, banka e gjakut pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës ka vazhdimisht nevojë për grupe të caktuara gjaku, sidomos për përballimin e rasteve emergjente.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




