Harta e re Gjyqësore, Gogu: S’ kemi përdorur të gjithë potencialin që ka, do ta rishikojmë pas plotësimit të gjykatave me gjyqtarë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi nga Shkodra se Harta e re Gjyqësore nuk është shfrytëzuar ende në të gjithë potencialin e saj dhe se rishikimi i saj do të bëhet pasi të plotësohen të gjitha gjykatat me gjyqtarë përkatës.
“Harta gjyqësore rishikohet çdo pesë vjet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por unë besoj se ende nuk kemi përdorur të gjitha potencialet që ajo ka. Këtë duhet ta shohim pasi të plotësojmë të gjitha gjykatat me gjyqtarë. Në radhë të parë, hartën që kemi duhet ta optimizojmë maksimalisht”, tha Gogu.
Ai u ndal edhe te zvarritja e çështjeve, duke shpjeguar se aktualisht janë rreth 130 mijë çështje në proces.
“Po bëjmë standardizimin e statistikave me KLGJ-në, që të mund të lexojmë çështjet njësoj. Problemi kryesor është mungesa e gjyqtarëve, shumë prej tyre nuk kanë kaluar sprovën e integritetit dhe po zëvendësohen”, theksoi ministri.
I pyetur nëse jepet drejtësi me standarde të dyfishta, Gogu theksoi: “Standardizimi dhe standardi europian i drejtësisë është thelbi kryesor i reformës. Ne duhet ta sjellim atë standard në çdo sallë gjykate!”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



