Trump paralajmëron Tajvanin kundër shpalljes së pavarësisë pas takimit me Xi Jinping

Botë | 6 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Tajvanin të mos shpallë zyrtarisht pavarësinë nga Kina, vetëm disa orë pas përfundimit të samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.

Në një intervistë për Fox News, Trump theksoi se politika e SHBA-së nuk ka ndryshuar dhe se Uashingtoni nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit. “Unë nuk po kërkoj që dikush të bëhet i pavarur. Dua që gjërat të mbeten të qeta,” tha ai.

Presidenti tajvanez Lai Ching-te ka deklaruar më herët se Tajvani e sheh veten si një komb sovran, pa pasur nevojë për shpallje formale të pavarësisë. Megjithatë, Pekini e ka cilësuar atë si “shkatërrues të paqes” dhe ka intensifikuar stërvitjet ushtarake rreth ishullit, duke rritur tensionet në rajon.

Xi Jinping e ka përshkruar çështjen e Tajvanit si “më të rëndësishmen” në marrëdhëniet Kinë-SHBA, duke paralajmëruar se një keqtrajtim i saj mund të çojë në konflikt mes dy vendeve. Trump, nga ana tjetër, u shpreh se nuk parashikon një përplasje ushtarake. “Mendoj se do të jemi mirë. Xi nuk dëshiron të shohë një luftë”, tha ai.

Administrata amerikane ka miratuar më herët një paketë armësh me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, duke përfshirë raketa dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje. Pekini e ka dënuar këtë vendim, ndërsa Trump tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse shitja do të vazhdojë.

Ministria e Jashtme e Tajvanit ka theksuar se marrëdhëniet me SHBA mbeten të forta dhe se shitjet e armëve janë një “gur themeli i paqes dhe stabilitetit rajonal”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme