Vlerësim për artistët ndër vite të TKOB, ngjitet në skenë shfaqja “Brez pas Brezi” me personalitete të valleve shqiptare

Kulturë | 6 muaj më parë

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor erdhi me një aktivitet të veçantë në nder të figurave të shquara të artit folklorik shqiptar. Ky institucion vlerësoi me mirënjohje artistët e “Gjerdanit të Artë” të Ansamblit Kombëtar, emra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e skenës sonë dhe që, për dekada me radhë, kanë përcjellë me përkushtim trashëgiminë artistike shqiptare nga një brez në tjetrin.

Në këtë ceremoni, e mbushur me emocione dhe respekt për kontributin e tyre, u vlerësua roli i këtyre artistëve në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor kombëtar, përmes muzikës dhe valleve tradicionale. Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe inaugurimi i sallës së valleve, e cila tashmë mban emrin e Panajot Kanaçit, një prej figurave më të mëdha të koreografisë shqiptare. Ky emërtim vjen si një homazh për veprën dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e artit skenik dhe të valleve popullore në vend.

“Është një takim brezash që nuk është vetëm një detyrim, por është një mirënjohje e thellë për të gjithë këta artistë që kanë lënë me të vërtetë një pasuri të jashtëzakonshme për artin dhe kulturën shqiptare, ku të gjithë brezat duhet ta dinë dhe pikërisht titullohet ‘Brez pas brezi’”, tha Aulon Naçi, Drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Një ditë shumë emocionuese sepse sot në të njëjtën kohë janë mbledhur në të njëjtën skenë, në tempullin e vetë, artistët e ekselencës së Ansamblit Kombëtar, valltarë, këngëtarë, instrumentistë të ardhur nga shumë vende të botës ku ata jetojnë, ata që jetojnë në këtë jetë, por dhe ata që na ndjekin nga lart me shpirtin, sepse ata kanë lënë të gjithë shpirtin e vetë”, u shpreh Sokol Marsi, Drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve.

“Që të thërrasësh këtu këtë plejadë ku muret dhe skena këtu kumbojnë nga këmbët e tyre e kumbojnë nga zërat e këtyre artistëve të vjetër që nuk shuhen kurrë është një gjë e jashtëzakonshme dhe e domosdoshme”, tha këngëtarja Irini Qirjako.

Më pas, në skenë u ngjit premiera absolute e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, e titulluar “Brez pas brezi”, me pjesëmarrjen e artistëve të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në artin dhe kulturën kombëtare.

Ky koncert, me vlerësimin për artistët, shënoi një moment të rëndësishëm në nderimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke rikthyer në vëmendje kontributin e vyer të artistëve që kanë bërë historinë e Ansamblit Kombëtar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme