Policia bën bilancin e 24 orëve të fundit, 8 të arrestuar, 7 në kërkim, sekuestrime droge e armësh

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e 24 orëve të fundit, ku janë finalizuar tre operacione të rëndësishme kundër veprimtarive kriminale. Si rezultat, janë arrestuar tetë persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë aksioneve janë sekuestruar para, dokumente të falsifikuara, lëndë narkotike kokainë, dy armë zjarri, municion luftarak, peshore elektronike, mjet prerës dhe 249 steka cigare të dyshuara kontrabandë.
Në kuadër të këtyre operacioneve, policia ka goditur një rast të shitjes së drogës, armëmbajtjes pa leje dhe kontrabandës, si dhe dy raste të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe fshehjes së të ardhurave. Përveç tyre, janë kapur edhe shtatë persona të shpallur më herët në kërkim për armëmbajtje pa leje, krime kundër personit dhe pronës.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste të tjera, me tre autorë të arrestuar dhe dhjetë të proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, janë regjistruar nëntë raste krimesh ndaj personit, shtatë raste dhune në familje, nëntë raste krimesh ekonomiko-financiare dhe katër raste krimesh kibernetike. Gjithashtu, policia ka evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit dhe dy raste vjedhjesh.
Edhe qarkullimi rrugor ka qenë në fokus, ku shtatë persona janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje, ndërsa gjashtë të tjerë janë proceduar për shkelje të rregullave. Në total janë regjistruar pesë aksidente, me gjashtë të lënduar që fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia Kufitare ka proceduar një person për trafikim mjetesh motorike dhe një tjetër për kalim të paligjshëm të kufirit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



