Praktikë profesionale për studentët, të rinjtë njihen me proceset e mbarështimit të kafshëve pranë QTTB-Korçë
Studentët e programit “Menaxhim Veterinar” në Universitetin e Korçës po zhvillojnë praktikën profesionale pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore , ku po njihen nga afër me proceset e mbarështimit dhe kujdesit ndaj kafshëve. Sipas pedagogëve dhe specialistëve, praktika në terren mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për formimin profesional të studentëve të veterinarisë.
“Kanë mundësinë që të mësojnë për secilën nga këto specie, për secilën këtë kategori, qoftë për delet, dhitë, kuajt, lopët, të mësojnë sëmundjet, profilaksinë, trajtimin e sëmundjeve dhe njëkohësisht të kenë mundësi të bëjnë dhe ndërhyrje kirurgjikale”, tha Kristi Morava, pedagog në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.
Vetë studentët shprehen se kjo eksperiencë i ndihmon të lidhin njohuritë teorike me praktikën konkrete, duke u përgatitur më mirë për tregun e punës dhe sfidat e profesionit veterinar.
“Kemi bërë shumë praktika, kemi bërë vaksina të ndryshme në këtë fermë kaq të mirë. Prandaj kam hyrë edhe në këtë shkollë që të bëhem një mjek veteriner”, u shpreh studenti Ergi Binjaku.
Gjatë praktikës, specialistët e QTTB-së po u shpjegojnë studentëve teknikat e ushqyerjes, kontrollit shëndetësor dhe menaxhimit të fermave blegtorale, ndërsa një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe proceseve të riprodhimit dhe mbarështimit të kafshëve. Studentët kanë mundësi të ndjekin nga afër edhe ndërhyrje të ndryshme veterinare dhe kirurgjikale, duke fituar eksperiencë praktike për profesionin e tyre të ardhshëm.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




