Rolando Maran: Përpara se të pranoja bisedova me De Biasi-n, objektivat janë të vështirë, por të arritshëm, do të jetoj këtu!

Kombëtarja | 6 muaj më parë

Në konferencën e tij të parë si trajner i Shqipërisë, Rolando Maran, ka zbuluar disa detaje në lidhje me këtë aventurë të re ndërsa ka paralajmëruar se objektivat e vendosur janë të vështirë, por jo të pamundur për tu arritur.

“Fitorja e Nations League dhe kualifikimi në finalet e Euro 2028 mendoj se janë objektivë mjaft ambiciozë, por jo të pamundur. Nëse do të ishin të tillë nuk do të isha sot këtu”, “debutoi” 62-vjeçari.

Sipas trajnerit italian në zgjedhjen e tij ka ndikuar edhe miqësia me De Biasi-n. “Me Gianni-n na lidh një miqësi e hershme përveç pasionit që kemi për futbollin. Përpara se të pranoja kam biseduar edhe me atë dhe sigurisht që kam dëgjuar konsidertat që kishte për periudhën që kaloi këtu”, zbuloi Maran.

Për Maran, Shqipëria nuk është një kombëtare e panjohur pasi siç tha edhe vetë ai ka mundur që të shikojë nga afër gati të gjithë lojtarët kuqezi, të cilët luajnë në Serie A. “Lojtarët e Shqipërisë, të cilët luajnë në Itali i njoh shumë mirë të gjithë. Disa prej tyre i kam patur edhe si kundërshtarë”, pohoi tekniku italian.

Mes të tjerash ai ka pranuar se do të transferohet në Shqipëri. “Ka qenë njëra prej temave të para që kam biseduar me presidentin e Federatës. Mendoj se për mua është i rëndësishëm fakti që të transferohem këtu në Shqipëri”, pohoi Maran.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme