Lamallari në Sarandë: Abuzuesit me ligjin do të përballen me drejtësinë. Bregdeti është interes kombëtar, jo lokal

Aktualitet | 6 muaj më parë

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm tw Policisë së Shtetit Skënder Hitën dhe drejtues të tjerë institucionalë, ka mbërritur në Sarandë pas skandalit të “CopaCabana”, një ‘beach bar’ pa leje që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të policisë së qytetit.

Në një takim me drejtues të Policisë së Shtetit, IKMT-së dhe institucioneve vendore, Lamallari theksoi se bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare dhe nuk mund të abuzohet në emër të interesave vetjake.

Ministri e cilësoi ngjarjen si një shembull të papërgjegjshmërisë së strukturave që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin, duke theksuar se bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare dhe nuk mund të abuzohet në emër të interesave vetjake.

 “Saranda dhe gjithë bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare. Nëse dikush mendon që interesat publike mund të rreshtohen në kufijtë e vetjakes, e ka shumë gabim. Reagimi i shpejtë i policisë dhe strukturave të mbikëqyrjes ishte mesazhi i parë për javën, për të treguar që nuk mund të jetë një lojë dhe ne të presim sa të ndërtohet betoni 7 kate,” tha Lamallari.

Ministri kërkoi një hetim të thelluar për ngjarjen, duke paralajmëruar se çdo flirtim me paligjshmërinë do të ketë pasoja të drejtpërdrejta.

“Kjo kërkon një hetim të thelluar, përveç përgjegjësisë direkte të atyre punonjësve që kanë neglizhuar apo kanë flirtuar me paligjshmërinë. Kjo vlen për çdo cep të bregdetit shqiptar. Mesazhi është shumë i qartë: ka dy rrugë për dikë që ka për detyrë të zbatojë ligjin – të bëjë detyrën me nder, ose të mbajë përgjegjësi për abuzimin. Punonjësit me uniformë nuk duhet të mbyllin sytë, por t’i tregojnë vendin çdokujt. Kjo është arsyeja pse kolegët tuaj sot nuk janë në tavolinë, por po përballen me drejtësinë,” u shpreh ai.

Lamallari theksoi se ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike dhe abuzimet në kurriz të interesit qytetar janë një vijë e kuqe për qeverinë, duke shpallur “zero tolerancë” ndaj paligjshmërisë.

“Ajo që është më e rëndësishme është fakti se si sillen institucionet ligjzbatuese në raport me ligjin, me konkurrencën e ndershme dhe me turizmin që është aseti më i madh kombëtar. Kjo nuk vlen vetëm për Sarandën, por për gjithë bregdetin shqiptar. Çdokush që mendon se mund të abuzojë me ligjin, llogaritë t’i bëjë vetë dhe të mbajë përgjegjësi,” përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme