Reformë në Avokaturën e Shtetit, institucioni merr në mbrojtje bashkitë dhe hap dyert për juristët me përvojë jashtë Magjistraturës

Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri që synon një ristrukturim të thellë të Avokaturës së Shtetit. Dokumenti, i cili është pjesë e programit analitik për vitin 2026, parashikon ndryshime thelbësore në mënyrën se si rekrutohen avokatët e shtetit, krijimin e pozicioneve të reja mbështetëse, si dhe zgjerimin e kompetencave për të mbrojtur falas interesat e pushtetit vendor në proceset gjyqësore.
Ndryshimet vijnë në një kohë kur Avokatura e Shtetit, e cila ka miratuar Planin e saj Strategjik 2025-2030 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përballet me një fluks të paprecedentë çështjesh dhe me pamjaftueshmëri të stafit përballë gjykatave të vendit dhe atyre ndërkombëtare.
Mbrojtje falas për bashkitë
Një nga risitë më të mëdha të këtij projektligji është kalimi i barrës së përfaqësimit gjyqësor të bashkive tek Avokatura e Shtetit. Zhvillimi ekonomik i dekadës së fundit ka rritur ndjeshëm vëllimin e investimeve publike dhe të drejtave pronësore në nivel vendor, duke sjellë për pasojë një shtim të padive kundër bashkive.
Deri më tani, tarifat e përfaqësimit dhe mbrojtjes (rreth 25,000 lekë për çështje) janë parë si një kosto e papërballueshme nga shumë njësi të qeverisjes vendore, duke bërë që shpesh mbrojtja e tyre në gjykata të jetë e dobët.
“Për këto arsye, dhe në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore, vlerësohet e domosdoshme që ato të përfaqësohen nga Avokatura e Shtetit, me shpenzime që do të përballohen nga shteti,” thekson relacioni zyrtar i projektligjit.
Nga rreth 12,000 çështje të reja që regjistrohen çdo vit në këtë institucion, rreth 2,500 prej tyre kanë si palë të paditur organet e pushtetit vendor. Kjo masë pritet të rrisë ngarkesën e institucionit me 20%, por shihet si jetike për mbrojtjen e parasë publike.
Mbingarkesa në gjykata dhe krijimi i “Ndihmësit Ligjor”
Për të përballuar këtë fluks, projektligji krijon figurën e re të ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit. Aktualisht, 55 avokatët e shtetit përballen me 417 gjyqtarë në të gjithë vendin, duke krijuar një disbalancë të thellë në burime njerëzore.
“Avokatët e Shtetit ndjekin mesatarisht 7-10 seanca gjyqësore çdo ditë, në shërbim të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave pasurore të shtetit,” argumentojnë hartuesit e ligjit, duke theksuar se kjo rutinë e mbingarkuar u heq atyre kohën e nevojshme për ndërtimin e strategjive dhe studimin e thelluar të dosjeve.
Ndihmësit ligjorë (parashikohet të punësohen 15 të tillë) do të marrin përsipër mbledhjen e provave, përditësimin e regjistrave dhe hetimet administrative, duke funksionuar njëlloj si oficerët e policisë gjyqësore pranë prokurorëve.
Zgjidhja e krizës së vakancave, hapen dyert jashtë Magjistraturës
Sistemi aktual i rekrutimit ekskluzivisht përmes Shkollës së Magjistraturës ka dështuar të plotësojë nevojat e Avokaturës. Nga 7 vende vakante të shpallura gjatë vitit 2025, vetëm 4 kandidatë pritet ta përfundojnë programin, ndërsa institucioni rrezikon të mbetet me 8 vende të zbrazëta për të paktën 3 vitet e ardhshme.
“Krijimi i vakancave përbën një pengesë të madhe. Vakancat që krijohen në këtë institucion mund të shkaktojnë dëme të rëndësishme dhe të pakthyeshme,” paralajmëron dokumenti.
Për këtë arsye, qeveria propozon një rrugë të dytë, paralele, rekrutimi për deri në 50% të vakancave vjetore. Për këto pozicione do të lejohet të konkurrojnë drejtpërdrejt:
Ndihmësit ligjorë të Avokaturës me mbi 7 vjet përvojë.
Avokatët, profesorët e së drejtës ose juristët e administratës qendrore me mbi 10 vjet përvojë.
Miliona euro dhe prona në lojë
Kostot për pagat e 15 ndihmësve të rinj ligjorë përllogariten në rreth 31 milionë lekë në vit. Sipas relacionit, kjo kosto është e papërfillshme nëse krahasohet me pasurinë që ky institucion mbron në gjykata nga abuzimet dhe paditë e palëve të treta.
Vetëm në tre vitet e fundit (2023-2025), Avokatura e Shtetit ka përfaqësuar shtetin në gjyqe me vlera marramendëse që kapin shifrën e afro 378 milionë eurove (rreth 36.3 miliardë lekë), si dhe ka qenë palë në mbrojtjen e mbi 66 milionë metrave katrorë pasuri të paluajtshme.
Me shtimin e çështjeve të pushtetit vendor, mbrojtja e këtyre aseteve kombëtare kërkon domosdoshmërisht një institucion modern, të mirëpaguar dhe me kapacitete të plota njerëzore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




