Vangjeli: Mbyllja e 5 qendrave paraburgimi, rast dramatik. Pasanikët të mendojnë për një investim në burgje

Aktualitet | 6 muaj më parë

Analisti Lorenc Vangjeli duke folur në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 ka vënë në pah gjendjen e sistemit penitenciar shqiptar, duke theksuar nevojën për ndërhyrje të menjëhershme strukturore.

Sipas Vangjelit, një nga rekomandimet më dramatike të institucionit të Avokatit të Popullit është mbyllja e pesë qendrave të paraburgimit për shkak të kushteve të pamjaftueshme dhe objekteve të degraduara.

Vangjeli theksoi se rinovimet e pjesshme nuk mjaftojnë. Ai sugjeron që ligjvënësit të shikojnë seriozisht ndërtimin e burgjeve me standarde evropiane reale.

“Një nga hapat kryesorë që duhet të bëhet është këtu dhe një nga gjetjet dhe rekomandim që është dramatik, i thënë nga një institucion si Avokati i Popullit është mbyllja e 5 qendrave të paraburgimit për shkak të kushteve të pamjaftueshme, për shkak të kushteve dhe të objekteve të degraduara.

Ka pasur rinovime të tyre, ndoshta nuk do të ishte propozim i keq që ligjvënësit ta shikonin ndërtimin e burgjeve realisht me standarde evropiane”, u shpreh Vangjeli.

Duke iu referuar rastit historik të burgut të Burrelit – ku i burgosuri i parë ishte vetë ish-kryeministri Koço Kota që e ndërtoi – Vangjeli ironizon se “asnjëherë nuk i dihet” dhe propozon zgjidhje afatgjata.

Ai propozon gjithashtu përdorimin e praktikave të PPP-ve (Partneritetet Publiko-Privatë) në sistemin e vuajtjes së dënimit.

Sipas tij, shumë biznesmenë shqiptarë mund të investojnë në një sektor të tillë, duke pasur parasysh pasiguritë e së ardhmes.

“Ka qenë rasti i famshëm të burgut të Burrelit, që i burgosuri i parë ishte ai që e ndërtoi, ish-kryeministri Koço Kota. Asnjëherë nuk i dihet. Edhe në sistemin e vuajtjes së dënimit përdoret praktika e PPP-ve, se shumë nga pasanikët shqiptarë do të duhet të mendonin për një investim të tillë se asnjëherë nuk i dihet”, tha më tej Vangjeli.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme