PS dhe PD bëhen bashkë në Kuvend-Miratojnë ndryshimet e Rregullores: S’ka më seanca pas orës 22:00
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmjen e kësaj të enjte ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, me 100 vota pro.
Kundër ka votuar vetëm deputeti Redi Muçi.
Ndryshimet u miratuan me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës së Partisë Demokratike, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Një nga pikat kryesore të reformës është kufizimi i kohëzgjatjes së seancave plenare.
Sipas rregullit të ri, seancat nuk mund të zgjasin më pas orës 22:00.
Në rast se debati mbetet i papërfunduar, seanca ndërpritet dhe vazhdon automatikisht ditën tjetër.
Deputetët e Partisë Socialiste hoqën dorë nga disa propozime si shqyrtimi i përshpejtuar i projektligjeve të lidhura me integrimin në BE dhe reduktimi i kohës së fjalës për deputetët.
Gjithashtu u ra dakord edhe për forcimin e kontrollit parlamentar. Institucionet shtetërore do të jenë të detyruara të përgjigjen brenda afateve të kërkesave për informacion nga deputetët, ndërsa komisionet parlamentare do të detyrohen të zhvillojnë mbledhje ose seanca dëgjimore kur kjo kërkohet nga opozita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




