Konflikti mes dy kontraktorëve për Aeroportin e Vlorës, Karakaçi: Nuk do e tolerojmë, kemi ndërmarrë hapa ligjorë
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka folur mbi ecurinë dhe situatën aktuale të projektit të aeroportit të Vlorës, nisur nga konflikti mes dy palëve kontraktore.
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi theksoi se ministria ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të Aeroporti i Vlorës, duke siguruar që të gjitha procedurat të jenë në përputhje me detyrimet kontraktore, kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar e ndërkombëtar.
Ai u shpreh se të drejtat dhe detyrimet e palëve janë respektuar, por ngriti shqetësimin për situatën e krijuar mes zhvilluesve të projektit, përfshirë bllokimin fizik të kantierit, konfliktet gjyqësore mes aksionarëve dhe çështjet penale që, sipas tij, kanë sjellë vonesa kritike dhe dëme reputacionale për projektin.
“Kemi ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Kemi siguruar që të gjitha proceset të jenë në përputhje me detyrimet kontraktore, kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar e ndërkombëtar. Janë respektuar të drejtat e detyrimet e palëve. Ministria vëren me shqetësim të thellë se sjellja e palëve zhvilluese, bllokimi fizik i kantierit, konfliktet gjyqësore mes aksionarëve, shkeljet kontraktore, akuzat penale kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do tolerohet. Shteti do të shfrytëzojë mjetet ligjore për të garantuar respektimin e detyrimeve kontraktore. Konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës është një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private. Kjo mosmarrëveshje ka eskaluar nga debate i brendshëm aksionbar në beteja ligjore dhe hapjen e procedurave penale. Ministria nuk është palë në këtë konflikt dhe nuk ka interes të favorizojë asnjë palë aksionare” deklaroi ministri.
Karakaçi theksoi se konflikti mes palëve private është një mosmarrëveshje civile dhe kontraktore dhe se shteti nuk është palë në këtë përplasje, duke mos favorizuar asnjë nga aksionarët. Ai shtoi se qeveria ka ndërhyrë vetëm në kuadër të mbrojtjes së interesit publik dhe zbatimit të kontratës.
Sipas tij, pavarësisht natyrës private të marrëveshjes, asnjë palë nuk mund të pengojë realizimin e një infrastrukture me rëndësi kombëtare. Ai shtoi se zgjidhja e konfliktit i takon palëve dhe gjykatave, ndërsa ministria do të përdorë të gjitha instrumentet ligjore dhe kontraktore për të siguruar që aeroporti të hapet dhe të nisë funksionimin sipas afateve të përcaktuara.
“Shteti shqiptar ka dhënë koncesionin sipas procedurave ligjore, ka mbikëqyrur zbatimin e kontratës dhe ka ndërhyrë kur mbrojtja e interesit publik dhe e të drejtës kontraktore e ka kërkuar. Konflikti mes dy subjekteve tregtare nuk do të tolerohet të sjellë pasoja mbi shtetin, ekonominë dhe qytetarët. Pozicioni i Ministrisë: pavarësisht natyrës private të marrëveshjes, askush s’mund të mbajë peng një infrastrukturë me rëndësi kombëtare. Zgjidhja e konfliktit është detyrë e palëve dhe gjykatave. Subjektet të jenë të qarta se mosmarrëveshjet mes tyre nuk përbëjnë shkak për moszbatimin e detyrimeve kontraktore dhe garantimin e operacionalitetit të aeroportit.
Ministria ka ndjekur hapat e nevojshëm ligjor për garantimin e të drejtave të saj kontraktore dhe është e përgatitur për të përdorur instrumentet e nevojshme kontraktore, përfshirë aktivizimin e çdo klauzole në kontratë që aeroporti i Vlorës të hapet dhe të operojë sipas afateve të detyrueshme”, theksoi Karakaçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



