Zgjedhjet për kreun e PD-së, votëbesim për Sali Berishën si i vetmi në garë. Kryedemokrati sulmon Salianjin: Procesi demokratik! Krimi s’ka vend në parti

Politikë | 5 muaj më parë

Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë, më 23 maj, procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të partisë, ku kandidati i vetëm është Sali Berisha. Për shkak të mungesës së garës, procesi po konsiderohet si një votëbesim brenda partisë, ku anëtarët shprehen nëse janë dakord që Berisha të vijojë drejtimin e PD-së.

Sipas kryetares së KOKOE, Albana Vokshi, në tre orët e para të procesit kanë marrë pjesë rreth 11,906 votues. Ajo bëri me dije gjithashtu se në total janë thirrur për të votuar 51,737 anëtarë të Partisë Demokratike me të drejtë vote.

“Deri në orën 11:00 në bazë të informacioneve që kemi marrë nga degët, nga komisionet e votimit, kanë votuar 11. 906 votues dhe kjo është e dhëna që kemi marrë tani. Për numrin e votuesve do ta japim çdo dy-tre orë deri në orën 18:00 dhe më pas do të bëjmë mbylljen e të gjithë numërimit  në të gjitha degët. Sot janë thirrur për të votuar 51. 737 anëtar të PD-së me të drejtë vote”, tha Vokshi.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, votoi në selinë e partisë, në sallën “Gramoz Pashko”, ku e vlerësoi procesin si shembullor dhe demokratik. Ai u bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të marrin pjesë në votim, duke e cilësuar procesin një detyrim statutor dhe shprehje të vullnetit politik të demokratëve.

Gjatë deklarimeve të tij, Berisha theksoi se procesi përfaqëson një ndarje të qartë me krimin, duke u shprehur se “përfaqësuesit e botës së krimit nuk kanë vend në Partinë Demokratike”, duke iu përgjigjur edhe deklaratave të ish-deputetit Ervin Salianji.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 në të gjitha degët e PD-së në vend dhe pritet të përfundojë në orën 18:00. Pas mbylljes së votimit, në çdo degë do të nisë menjëherë numërimi i fletëve të votimit, ndërsa rezultatet pritet të bëhen publike pas përfundimit të procesit në të gjitha qendrat.

Ky proces i brendshëm i PD-së i paraprin edhe mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të partisë, i cili është thirrur për më 30 maj. Në këtë kuvend pritet të diskutohet ripërtëritja e strukturave dhe organeve drejtuese, në kuadër të riorganizimit të brendshëm politik të partisë.

Zgjedhjet për kreun e PD, Gjin Gjoni voton në Lezhë: Hapja e partisë dhe figurat e reja, kyçe për fitoren

Deputeti i Partia Demokratike, Gjin Gjoni, ka votuar në degën e Lezhës në referendumin për rikonfirmimin e kreut të kësaj force politike, Sali Berisha.

Pas procesit të votimit, Gjoni deklaroi se referendumi po zhvillohet normalisht dhe se ka interes të lartë nga anëtarësia për të marrë pjesë. Ai e cilësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm për demokratët, duke e konsideruar Berishën si liderin historik të PD-së dhe figurën që, sipas tij, ka rikthyer opozitën në një alternativë reale politike.

“Është një ngjarje historike në PD, pasi është rikonfirmimi i liderit historik, i cili ka vlerat e veta edhe për shkak të fillimeve të demokracisë dhe qëndresës në periudha të vështirë të shkërmoqjes së PD para Rithemelimit. Pesha e PD ka ardhur duke u rritur edhe për shkak të drejtimit të partisë nga Berisha. Është njeriut që po bashkon opozitën shqiptare dhe vlerat e PD kanë ardhur në rritje pas rikthimit të Berishës në krye të PD duke u kthyer në një opozitë të vërtetë dhe një alternativë për të ardhur në pushtete sa më shpejt”, tha Gjoni.

Sipas deputetit demokrat, rritja e mbështetjes për PD-në ka ardhur pas rikthimit të Berishës në drejtimin e partisë, ndërsa theksoi se opozita duhet të fokusohet te bashkimi dhe hapja ndaj figurave të reja.

“Hapja e partisë dhe afrimi i figurave të reja në PD është domosdoshmëri për të tërhequr edhe elektoratin gri dhe qytetarët e pakënaqur, në mënyrë që të bëhemi forcë fituese në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare”, u shpreh Gjoni.

Ai shtoi gjithashtu se Partia Demokratike mbetet “parti e mendimit të lirë”, ku pranohen edhe mendimet kundër, ndërsa deri tani, sipas tij, nuk ka pasur kontestime nga anëtarësia në Lezhë lidhur me procesin e referendumit.

Vokshi: Votimi vijon pa probleme, tre orët e para votuan rreth 12 mijë votues

Kryetarja e KOKOE, Albana Vokshi, ka bërë publikimin e të dhënave të para mbi procesin e votimit në Partinë Demokratike.

Sipas saj, në 77 degë të Partia Demokratike e Shqipërisë janë hapur 87 qendra votimi në orën 08:00 të mëngjesit dhe procesi po vijon normalisht, pa probleme të raportuara, ndërsa pjesëmarrja është vlerësuar si e lartë.

“Kjo është dalja e parë duke qenë transparent po ju informojmë për të dhënat e para që kemi marrë nga 77 degë të PD-së. Janë 87 qendra votimi të hapura në orën 08:00, votimi do të vazhdojë deri në orën 18:00, procesi ka nisur dhe po vijon i qetë, pa asnjë problem dhe me pjesëmarrje të lartë”, u shpreh Vokshi.

Sipas Vokshit deri në orën 11:00 kanë votuar 11.906 anëtarë, nga gjithsej 51.737 anëtarë me të drejtë vote.

Vokshi njoftoi se të dhënat për pjesëmarrjen do të publikohen çdo dy deri në tre orë deri në mbylljen e votimit në orën 18:00, ndërsa më pas do të nisë numërimi në të gjitha degët.

“Deri në orën 11:00 në bazë të informacioneve që kemi marrë nga degët, nga komisionet e votimit, kanë votuar 11. 906 votues dhe kjo është e dhëna që kemi marrë tani. Për numrin e votuesve do ta japim çdo dy-tre orë deri në orën 18:00 dhe më pas do të bëjmë mbylljen e të gjithë numërimit  në të gjitha degët. Sot janë thirrur për të votuar 51. 737 anëtar të PD-së me të drejtë vote”, tha ajo.     

Zgjedhjet në PD, Salianji publikon fotot ku shkruhet emri i tij: Demokratët po reagojnë ndaj uzurpimit. Berisha: Përfaqësuesit e krimit s’kanë vend në parti

Procesi i votimit në Partinë Demokratike është shoqëruar me një përplasje në distancë mes ish-deputetit  demokrat Ervin Salianji dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Ervin Salianji, një nga figurat e përjashtuara nga gara për kreun e partisë, ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe mesazhe që, sipas tij, i janë dërguar nga demokratë të ndryshëm gjatë procesit të votimit. Në disa prej tyre, pretendohet se në fletën e votimit është shënuar emri i tij, megjithëse në garë figuron vetëm emri i Sali Berishës.

Në reagimin e tij, Salianji falenderoi mbështetësit dhe e cilësoi procesin zgjedhor si të manipuluar dhe të papranueshëm. Salianji shton se sipas tij demokratët po reagojnë ndaj “farsës së uzurpimit të partisë”.

“Falenderim dhe mirënjohje për çdo demokrat që sot ka zgjedhur të shënojë qartësisht preferencën e tij. Po më vijnë qindra mesazhe dhe foto nga demokratë që, përmes votës, shkrimit të emrit apo refuzimit të farsës, po tregojnë se Partia Demokratike nuk është pronë personale. Ju jam mirënjohës secilit nga Shkodra në Korçë, Vlore, Kukës, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Lezhe, Durrës e Tiranë. Nga çdo degë po vërshojnë reagimet dhe fotot e fletës së votimit!

Falenderim edhe për mijëra demokratë të tjerë që e kanë braktisur dhe përbuzur farsën e uzurpimit të Partisë Demokratike për interesa personale.Kur gara vritet, kur alternativa përjashtohet dhe kur vula përdoret për të mbajtur peng opozitën, demokratët dinë të reagojnë me dinjitet. Këto mesazhe janë më shumë se mbështetje personale. Janë një refuzim i frikës, i imponimit dhe i shndërrimit të PD-së në një strehë për interesa personale! Ne nuk dorëzohemi. Do ta çmontojmë këtë farsë me kurajo, me demokratë të lirë dhe me besimin se Partia Demokratike do t’u kthehet anëtarëve dhe qytetarëve”, shkruan Salianji.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur nga mediat pas votimit, u shpreh se “përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë kurrë vend në këtë parti”.

“Unë besoj se përpjekjet e një përfaqësuesi të botës së krimit nuk mund ta përlyejnë këtë proces më demokratik në Shqipëri. Përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë kurrë vend në këtë parti dhe kjo është ndarja me botën e krimit, kjo është ndarje për jetë a vdekje. Askush nuk mund të mendojë të konsiderojë fuqi në këtë parti për fuqinë e krimit,” u shpreh Berisha.

Berisha voton në selinë e PD-së: Procesi zgjedhor demokratik, anëtarët të marrin pjesë në votim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka votuar në sallën “Gramoz Pashko” në selinë qendrore të PD-së, në kuadër të procesit të brendshëm zgjedhor të partisë për zgjedhjen e kryetarit. Ky proces cilësohet edhe si një votëbesim ndaj tij, pasi ai është kandidati i vetëm në garë.

Pas votimit, Berisha vlerësoi procesin zgjedhor brenda partisë si shembullor dhe demokratik, duke theksuar se pjesëmarrja e anëtarëve është shprehje e vullnetit politik të demokratëve në mbarë vendin.

“Të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në gjithë Shqipërinë, në një proces shembullor, në mënyrë demokratike dhe referendare, i shprehin besimin ose vullnetin e tyre për kryetarin apo edhe kundër tij,” u shpreh Berisha.

Ai i bëri thirrje anëtarëve të Partisë Demokratike që ende nuk kanë votuar, të marrin pjesë në proces, duke e konsideruar atë një detyrim të rëndësishëm statutor dhe një shprehje të demokracisë së brendshme të partisë.

“Ftoj të gjithë demokratët që ende nuk kanë votuar të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor ndaj një procesi demokratik. I garantoj se do të përmbush detyrimet e mia ndaj besimit të tyre dhe qëndrimeve të tyre,” deklaroi ai.

2420 anëtarë të PD me të drejtë vote në qarkun Vlorë. Anëtarja demokrate: Ka interes për të votuar

Në qarkun e Vlorës vijon procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, ku anëtarët e partisë po i drejtohen kutive të votimit për të shprehur qëndrimin e tyre për drejtimin e forcës politike.

Procesi synon konfirmimin në krye të partisë të Sali Berisha, i cili është kandidati i vetëm në këtë garë, duke e kthyer votimin në një proces votëbesimi nga anëtarësia.

Sipas strukturave lokale të PD-së në Vlorë, pjesëmarrja pritet të jetë e konsiderueshme, ndërsa në disa degë numri i anëtarëve aktivë mbetet i lartë.

“Deri tani shohim që ka interes, shpresojmë të vijojë me këtë ritëm pjesëmarrja”, tha një anëtare e stafit të qendrës së votimit.

Në qarkun e Vlorës, numri i anëtarëve me të drejtë vote është:

Vlora: 1600 anëtarë

Himara: 320 anëtarë

Selenica: 500 anëtarë

Votimi për kreun e PD në Lezhë, rreth 4 mijë anëtarë me të drejtë vote

Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike vijon në degën e Lezhës.

Që në orët e para të mëngjesit, anëtarët demokratë i janë drejtuar selisë së PD-së në qytetin e Lezhës për të ushtruar të drejtën e votës, në një proces që po zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”.

Rreth 4 mijë anëtarë të Partisë Demokratike në Lezhë kanë të drejtë vote, ndërsa procesi po administrohet nga dy komisione të ngritura posaçërisht për të garantuar mbarëvajtjen dhe transparencën e zgjedhjeve.

Votëbesimi për Sali Berishën, numri i anëtarëve në degët e PD në qarkun Fier dhe pritshmëritë e pjesëmarrjes



Procesi i votimit për kryetarin e Partisë Demokratike po zhvillohet normalisht në të gjitha degët e qarkut Fier, ku anëtarësia po shpreh mbështetjen për Sali Berisha, kandidatin e vetëm në garë.

Në degën e Fierit, sipas kryetarit Ardian Ferro, janë 1750 anëtarë në listën aktive, ndërsa pjesëmarrja e pritshme në votime llogaritet rreth 70%.

Në Mallakastër, dega numëron 600 anëtarë dhe pritet të votojë mbi 60% e anëtarësisë.

Në Patos, kryetari i degës Pëllumb Hoxha bën me dije se lista përmban 620 anëtarë, ndërsa pjesëmarrja e pritshme është rreth 60%.

Ndërkohë, në Roskovec, sekretari i degës Dritan Dogani deklaron se dega ka 710 anëtarë në listë dhe pritet pjesëmarrje mbi 60%.

Edhe në Lushnjë procesi pritet të jetë aktiv. Lista e anëtarësisë përfshin 2500 anëtarë, ndërsa pjesëmarrja në votime pritet të kalojë 55%.

Procesi i votimit ka nisur normalisht edhe në degën e Divjakës, ku pritet të votojnë rreth 600 anëtarë.

Ndërkohë, kujtojmë se në Roskovec, Patos dhe Mallakastër zgjedhjet për kryetarët e rinj të degëve janë zhvilluar rreth tre javë më parë. Ndryshe paraqitet situata në Fier, Lushnjë dhe Divjakë, ku procesi për zgjedhjen e drejtuesve lokalë ende nuk është zhvilluar.

Në degën e Fierit, me një vendim të posaçëm të firmosur nga Sali Berisha dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, u ngrit një grup pune prej 43 anëtarësh që zëvendësoi strukturat drejtuese të degës. Ky reorganizim erdhi pas dorëheqjeve që pasuan humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.

“Mos vdeksha derisa të shoh Saliun lart e më lart”, demokrati në Fier voton në kreun e PD

Procesi i votimit për kryetarin e Partisë Demokratike po zhvillohet normalisht edhe në degën e Fierit. Votimi ka nisur prej orës 08:00 dhe po mbahet në ambientet e selisë së PD-së në qendër të qytetit.

Që në orët e para të mëngjesit, anëtarët demokratë i janë drejtuar kutive të votimit për të dhënë votën e tyre në procesin që konsiderohet si votëbesim për kryetarin aktual të partisë, Sali Berisha, i cili është kandidati i vetëm në garë.

Mbështetës të PD-së në Fier janë shprehur optimistë për vijimin e drejtimit të Berishës në krye të partisë.

“Jam këtu për të votuar për kryetarin e Partisë Demokratike. Unë jam anëtar i PD dhe mendoj se po ndjek një rrugë të drejtë. Kur erdhi Berisha tha se vdekja është ligj për të gjithë, por ishalla mos vdeksha derisa të shoh Saliun lart e më lart. Ai mundohet për më mirë për popullin”, u shpreh një anëtar i PD-së në Fier.

Procesi i votimit pritet të përfundojë në orën 18:00, ndërsa më pas do të nisë edhe numërimi i votave në degët ku është zhvilluar votimi.

“PD zgjedh kryetarin, Vokshi: Deri në orën 15:00 kanë votuar 28,379 demokratë

Partia Demokratike zhvillon sot zgjedhjet për kryetar, një proces që nisi në orën 08:00 dhe pritet të mbyllet në orën 18:00.

Në një komunikim për mediat, Albana Vokshi deklaroi se “Deri në orën 15:00 në 77 degët e Partisë Demokratike rezulton që të jetë 28,379 votues. Shifra rritet moment pas momenti, pasi anëtarët demokratë vijojnë t’u drejtohen kutive të votimit. I gjithë procesi është transparent dhe do të jetë deri në fund.” 

E pyetur për numrin më të ulët të votuesve krahasuar me proceset e kaluara, Vokshi u shpreh se “Mendoj që kjo dalje është vetëm për pjesëmarrjen, për procesin e votimit. Me të mbaruar procesi i votimit neve do t’ju japim të gjitha sqarimet për numrin e votuesve të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote dhe janë ftuar sot. Kjo do të thotë që janë punuar listat, janë pastruar listat. Një pjesë janë larguar në diasporë, por do t’ju japim të gjitha detajet e nevojshme. Pra, jemi transparentë deri në fund, ju kemi dhënë një numër siç është sot. Nesër mund të rritet ai numër sepse ka anëtarësime të reja, mund të zvogëlohet sepse ikin nga diaspora. Pra, është ‘working progress’, por sot është ky numri i cili është ftuar për të votuar për referendumin, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike.” 

Referendumi për kreun e PD-së shtyhet deri në orën 19:00-Kaso: Numri i votuesve i lartë

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) ka njoftuar sot se procesi i votimit për votëbesimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të shtyhet deri në orën 19:00 në degët e mëdha të partisë.

Në një komunikim për mediat, Ivi Kaso, përfaqësues i KOKOE-së, tha se vendimi u mor pas kërkesave të disa degëve ku ka pasur fluks të lartë votuesish, përfshirë edhe degën nr. 2 në selinë e PD-së.

“Procesi do të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë demokratëve të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për rikonfirmimin e kryetarit të partisë,” u shpreh Kaso.

Ai sqaroi se në degët më të vogla procesi ka përfunduar sipas afatit të parashikuar, ndërsa në degët qendër qarku dhe në disa degë të mëdha të Tiranës, ku numri i votuesve është më i lartë, është vendosur shtyrja e afatit deri në orën 19:00.

Kaso u bëri thirrje anëtarëve të PD-së në këto degë të mëdha që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre statutore për të votuar në këtë proces të rëndësishëm të votëbesimit për kreun e Partisë Demokratike.

Salianji: Braktisje totale e farsës për uzurpimin e PD-së, demokratët refuzuan procesin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj referendumit të 23 majit për konfirmimin e Sali Berishës në krye të PD-së, duke e cilësuar si një proces të braktisur nga demokratët dhe një farsë për uzurpimin e partisë.

Nw njw reagim nw rrjetet sociale, Salianji publikoi të dhëna sipas të cilave deri në orën 18:00 kishin votuar vetëm 3,885 anëtarë të PD-së në të gjithë vendin.

Ai renditi pjesëmarrjen sipas degëve kryesore:

Tiranë – 1,072 votues

Durrës – 321 votues

Kukës – 370 votues

Korçë – 165 votues

Dibër – 194 votues

Lezhë – 345 votues

Elbasan – 256 votues

Berat – 141 votues

Vlorë – 210 votues

Gjirokastër – 120 votues

Fier – 220 votues

Shkodër – 471 votues

Ai ironizoi shtyrjen e orarit të votimit, duke thënë se “në zgjedhjet ku votojnë miliona shqiptarë nuk shtyhet orari, ndërsa këtu ku sipas uzurpatorit ka 20 mijë votues, nuk kanë votuar as 4 mijë gjithsej”.

Salianji theksoi se demokratët po i përgjigjen në heshtje Berishës duke mos marrë pjesë në votim, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë shkruar emrin e tij në fletën e votimit, gjë që e bën atë të pavlefshme pasi kandidati i vetëm ishte Berisha.

Ai premtoi se nuk do të dorëzohet dhe se bashkë me demokratët do të “çmontojë farsën e Berishës”, duke e cilësuar këtë si refuzim të frikës, imponimit dhe shndërrimit të PD-së në një strehë personale.

rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme