Trump bisedë telefonike me Netanyahun: Një marrëveshje finale do të çmontonte programin bërthamor të Iranit

Amerikë | 5 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka siguruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se një marrëveshje finale me Iranin do të çmontonte plotësisht programin bërthamor të Teheranit.

Në një telefonatë që Trump ka zhvilluar me Netanyahun është theksuar se marrëveshja do t’i jepte fund konfliktit.

Sipas zyrtarëve izraelitë ky zhvillim vjen teksa po dalin detaje të një marrëveshjeje që po përgatitet me Iranin, e cila duket se lë pa plotësuar kërkesat kryesore izraelite dhe amerikane, duke shkaktuar shqetësime të thella në Izrael.

Sipas raporteve të shumta, të konfirmuara nga zyrtarët izraelitë, marrëveshja fillestare do të fokusohet në zgjatjen e një armëpushimi ekzistues për 60 ditë të tjera dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit për transportin vital detar.

Çështja kryesore e aktiviteteve bërthamore të Iranit do të lihet për diskutime gjatë kësaj periudhe, pa kërkesë që Irani të eksportojë stokun e tij të uraniumit të pasuruar shumë.

Përveç kësaj, plani thuhet se përfshin një armëpushim në konfliktin në vazhdim mes Izraelit dhe grupit terrorist libanez Hezbollah, por nuk përfshin çarmatimin e grupit të mbështetur nga Irani.

Trump “sqaroi se do të qëndrojë i vendosur në negociata për kërkesën e tij të gjatë për çmontimin e programin bërthamor të Iranit dhe largimin e të gjithë uraniumit të pasuruar nga territori iranian, dhe se nuk do të nënshkruajë një marrëveshje finale pa plotësimin e këtyre kushteve”, tha zyrtari i lartë i paemëruar.

Telefonata u zhvillua të shtunën vonë në mbrëmje.

Uashingtoni po e mbante Jerusalem në dijeni për negociatat “për një memorandum mirëkuptimi për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe hyrjen në negociata drejt një marrëveshjeje finale për pikat që mbeten në diskutim”, thuhet në deklaratë.

Netanyahu falënderoi Trumpin për “angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për sigurinë e Izraelit”. Trump deklaroi të shtunën pasdite se SHBA-ja dhe Irani po finalizonin një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se Memorandumi i Mirëkuptimit “është negociuar në pjesën më të madhe” dhe do të shpallej së shpejti.

Gazeta Neë York Times raportoi se SHBA-ja ka përjashtuar pothuajse plotësisht Izraelin nga negociatat. Netanyahu i tha Trumpit se Izraeli do të ruajë lirinë e tij të veprimit kundër “të gjitha kërcënimeve në të gjitha arenat”, tha zyrtari izraelit.

“Kryeministri theksoi se Izraeli do të ruajë lirinë e tij të veprimit kundër kërcënimeve në të gjitha arenat, duke përfshirë Libanin, dhe Presidenti Trump ripohoi mbështetjen e tij për këtë parim”, shtoi ai.

Telefonata erdhi pasi javën e kaluar të dy liderët patën një bisedë të tensionuar për mënyrën e veprimeve me Iranin. Netanyahu thuhet se preferonte rifillimin e goditjeve, ndërsa Trump donte të jepte më shumë kohë për diplomacinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme