Parazitët, rrezik për kafshët shtëpiake, mjekët veterinerë këshillojnë për kujdes: Transmetojnë edhe sëmundje të ndryshme

Aktualitet | 5 muaj më parë

Me rritjen e temperaturave dhe shtimin e qëndrimit në ambiente të hapura, rriqnat përbëjnë një shqetësim të shtuar për shëndetin e kafshëve shtëpiake. Mjeku veteriner Sokol Malaj shpjegon se si përhapen te kafshët dhe pasojat që mund të sjellë pickimi i tyre.

“Rriqnat janë parazitë të vegjël, të cilët jetojnë në ambiente të ndryshme, si për shembull në lule dhe në dhe, dhe ngulen në trupin e kafshës. Nëpërmjet kontaktit direkt ato fiksohen në trupin e kafshës dhe ushqehen me gjakun e tyre”, tha Malaj.

Përveç shqetësimeve që shkaktojnë, rriqnat mund të transmetojnë edhe sëmundje të ndryshme.

“Rriqnat janë të rrezikshme për shëndetin sepse janë transmetuese të disa sëmundjeve. Përveç thithjes së gjakut, ndonjëherë, në rastet kur janë në sasi të madhe, mund të shkaktojnë edhe anemi duke thithur shumë gjak, por gjithashtu transmetojnë edhe disa lloj sëmundjesh të ndryshme, si babeziozë, erlikiozë, anaplazmozë. Janë sëmundje tipike që vijnë nga rriqnat dhe janë të rrezikshme për shëndetin e kafshës”, tha ai.

Mbrojtja e kafshëve kërkon kujdes të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.

“Sezoni më i përhapur i rriqnave janë pranvera dhe vera, por e mira është që kafshët të mbrohen gjatë gjithë vitit, sepse, për shkak edhe të temperaturave që nuk janë shumë të ulëta, rriqnat janë aktive gjatë gjithë vitit. Mënyra e mbrojtjes ndaj tyre është përmes trajtimeve antiparazitare, të cilat janë të sugjeruara për mbrojtje ndaj rriqnave”, tha Malaj.

Me masat e duhura mbrojtëse, shëtitjet dhe ditët e ngrohta të verës mund të shijohen pa shqetësime edhe nga miqtë tanë me katër putra.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme