“Netët Korçare të Poezisë”, në fundjavë edicioni i 30-të i Festivalit Ndërkombëtar
Qyteti i Korçë do të mirëpresë këtë fundjavë edicionin e 30-të të Festivalit Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare në vend, që prej tre dekadash bashkon poetë, krijues dhe dashamirës të poezisë nga trojet shqiptare dhe vende të ndryshme të botës.
“Festivali i Netëve Korçare të Poezisë është më tepër se një festival. Ai tashmë është shndërruar në një ritual shpirtëror dhe në një traditë kulturore për të gjithë ata që besojnë se poezia është gjuha universale e shpirtit. Më 30 dhe 31 maj, Korça do të shndërrohet në kryeqendrën e lirikës shqiptare. Do të mbahet për dy netë me radhë dhe do të jetë i mbushur me aktivitete të ndryshme”, tha Jorida Tollkuçi.
Ndryshe nga edicionet e mëparshme, Tollkuçi thotë se ky edicion vjen me risi, të cilat synojnë ta afrojnë më shumë festivalin me publikun e ri dhe format bashkëkohore të artit.
“Risi në këtë aktivitet do të jetë edhe konkursi i poetëve të rinj korçarë. Përmes një konkursi të organizuar nga biblioteka publike “Thimi Mitko” dhe Qendra Rinore, të rinjtë korçarë kanë pasur mundësi të marrin pjesë dhe në këtë festival do të shpallen tre zëra poetikë fitues, çmimet e të cilëve do të jepen nga poetja laureate e këtij viti, zonja Rita Petro. Gjithashtu, risi në këtë aktivitet do të jetë edhe dhënia e çmimit të karrierës për laureaten e festivalit, mbretëreshën e këngës shqiptare dhe bijën e Korçës, zonjën Zhuliana Jorgançi”, tha ajo.
Një tjetër risi do të jetë pjesëmarrja më e gjerë ndërkombëtare, me poetë dhe përfaqësues të letërsisë nga vende të ndryshme.
Ashtu si çdo vit, poezitë pjesëmarrëse do të vlerësohen nga një juri profesioniste, e cila do të akordojë çmimet kryesore të festivalit.
Edicioni jubilar pritet të sjellë jo vetëm emocione artistike, por edhe një promovim më të madh të kulturës dhe traditës poetike të Korçës.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




