Dhjetëra të vrarë në Liban ndërsa Izraeli intensifikon sulmet kundër Hezbollahut

Të paktën 31 persona, mes tyre gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një vale të re sulmesh intensive izraelite në jug dhe lindje të Libanit. Sulmet vijnë në një moment tensionesh të larta, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ushtria izraelite do të shtojë intensitetin e operacioneve kundër Hezbollah.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, shumë prej viktimave u nxorën nga rrënojat e banesave të goditura gjatë natës, ndërsa dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur. Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur mbi 100 objektiva të lidhura me infrastrukturën dhe luftëtarët e Hezbollahut, në një nga bombardimet më të ashpra që prej nisjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA në muajin prill.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të sigurisë, Netanyahu tha se Izraeli po “thellon operacionin në Liban”, ndërsa shtoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po veprojnë “me forcë të madhe në terren” për të krijuar një zonë sigurie në veri të Izraelit dhe për të parandaluar sulmet e Hezbollahut.
Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore dhe bombardimet me artileri në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu ka vijuar sulmet me raketa dhe dronë drejt veriut të Izraelit dhe trupave izraelite të vendosura në territorin libanez.
Sipas autoriteteve libaneze, mbi 3,185 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga nisja e konfliktit më 2 mars, ndërsa ushtria izraelite ka raportuar 23 ushtarë dhe një kontraktor civil të vrarë nga sulmet e Hezbollahut gjatë së njëjtës periudhë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




