Marrëveshja paraprake SHBA-Iran: Teherani të mos kërkojë, zhvillojë apo blejë armë bërthamore

Amerikë | 5 muaj më parë

Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) që parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë, duke përfshirë edhe Libanin.

Sipas marrëveshjes, Izraeli do të mund të veprojë kundër kërcënimeve të menjëhershme nga Hezbollahu.

Marrëveshja siguron lëvizje të lirë dhe të pakufizuar në Ngushticën e Hormuzit pa taksa apo ndërhyrje iraniane.

Irani është zotuar të heqë të gjitha minat detare që ka vendosur në ngushticë brenda 30 ditëve.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara do të heqin gradualisht bllokadën detare ndaj porteve iraniane, paralelisht me rifillimin e trafikut ndërkombëtar.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që Irani të japë një zotim formal se nuk do të kërkojë, zhvillojë apo blejë armë bërthamore.

Negociatat për programin bërthamor do të vazhdojnë menjëherë, me prioritet asgjësimin e stokut të uraniumit të pasuruar dhe vendosjen e kufizimeve për pasurimin e uraniumit në të ardhmen.

Nga ana e tyre, amerikanët premtojnë se në fund të negociatave do të lehtësojnë sanksionet dhe do të çlirojnë fondet e ngrira iraniane.

Gjatë këtyre 60 ditëve, SHBA do të pezullojnë disa sanksione për të lejuar Iranin të eksportojë naftë pa kufizime. Tërheqja e forcave amerikane do të varet nga arritja e një marrëveshjeje përfundimtare, përfshirë çështjen bërthamore.

Marrëveshja synon të sjellë të gjitha palët në tryezë dhe se presidenti Donald Trump pritet të vendosë brenda dy ditëve nëse e miraton atë.

Nëse Irani nuk respekton zotimet bërthamore gjatë bisedimeve, SHBA do të kenë të gjitha opsionet në dispozicion, si ekonomike ashtu edhe ushtarake.

Marrëveshja ende kërkon miratimin përfundimtar të Presidentit Trump.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme