Konkursi për Pallatin e Kongreseve, Rama: Koha për transformim, ruajmë identitetin e godinës. Përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar, mbi 1 mld euro

Aktualitet | 5 muaj më parë

Në kuadër të Konkursit Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, pesë skuadrat finaliste kanë prezantuar përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë e tyre arkitekturore për transformimin e një prej godinave më ikonike të kryeqytetit.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, Kryeministri Edi Rama vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë të studiove arkitekturore dhe punën e bërë për përzgjedhjen e finalistëve.

“Besoj se më bukur dhe në mënyrë më shteruese se sa e përshkruajnë të gjithë protagonistët e thirrur për të ndërtuar dokumentarin e shkurtër, nuk mund të them dot asgjë. Dua të falënderoj të gjitha studiot pjesëmarrëse. Ka qenë një pjesëmarrje e konsiderueshme dhe një vendim jo i lehtë për të përzgjedhur pesë finalistët”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se procesi i vënies në dispozicion të pronave shtetërore të degraduara ka sjellë përfitime të konsiderueshme financiare, si dhe rikthim të tyre në funksion të publikut dhe institucioneve shtetërore.

Ai theksoi se nëpërmjet kontratave të lidhura, përfitueshmëria nga faza e parë e punës së Korporatës së Investimeve është e llogaritur në rreth 523 milionë euro, ndërsa përfitimi i drejtpërdrejtë për shtetin dhe ekonominë e kontraktuar kalon shifrën e 1 miliard eurove.

Sipas Kryeministrit, në këtë proces janë vënë në dispozicion 46 mijë e 700 metra katrorë tokë shtetërore, ndërsa 267 mijë metra katrorë janë përfituar për nevojat e shtetit. Ndërkohë, sipërfaqja e përfituar nga sipërmarrja arrin në 355 mijë metra katrorë.

“Duke vënë në dispozicion prona shtetërore të degraduara, të merret mbrapsht përfitueshmëri e lartë financiare dhe, nga pikëpamja e hapësirës, në funksion të publikut dhe nevojave të institucioneve publike.

 Sot që flasim, bashkë me këtë konkurs, jemi në 15 konkurse të realizuara ndërkombëtare. Kemi 3 konkurse që janë duke u përgatitur. Të gjitha janë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Janë aktualisht 12 kontrata të lidhura, 7 kontrata janë në proces, 3 master plane. Janë 20 objekte publike për zhvillim.

Përfitueshmëria e korporatës nga kjo fazë e parë e punës së saj është e kuantifikuar, bazuar në kontratat e lidhura, në 523 milionë euro. Përfitim direkt i shtetit nga ky aktivitet. Përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar është mbi 1 miliard euro.

Sipërfaqja e tokës së vënë në dispozicion është 46 mijë e 700 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit është 267 mijë metra katrorë. Patjetër, janë 355 mijë metra katrorë të përfituar nga sipërmarrja.

Ky pallat duhet të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, cilësisë së hapësirave dhe gjithë strukturës së riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht. Por edhe që ky pallat dhe kjo zonë të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës“, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se qëllimi është që Pallati i Kongreseve dhe zona përreth të transformohen në një hapësirë moderne, të përshtatur me teknologjinë dhe cilësinë bashkëkohore të hapësirave publike.

“Ky pallat duhet të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, cilësisë së hapësirave dhe strukturës së riorganizuar. Por gjithashtu kjo zonë duhet të bëhet një tjetër destinacion i Tiranës, duke mos mbetur një ishull i heshtur pa aktivitet,” u shpreh Rama.

Ai shtoi gjithashtu mirënjohjen për institucionet dhe strukturat e përfshira në organizimin e procesit, duke theksuar rëndësinë e këtij konkursi për të ardhmen e Pallatit të Kongreseve dhe transformimin e tij në një hapësirë moderne kulturore dhe publike.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme