Mette Frederiksen krijon qeverinë e re, Danimarka do të drejtohet nga një koalicion i përbërë nga katër parti

Europë | 5 muaj më parë

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen beri me dije se kishte arritur të formonte një qeveri koalicioni të pakicës me prirje të majtë pas disa muajsh bisedimesh nga zgjedhjet e muajit mars. Duke folur me gazetarët pas takimit me Mbretin Frederik X, Frederiksen tha se marrëveshja u arrit pas negociatave të gjata dhe të tensionuara, duke shtuar se ajo do të prezantojë kabinetin e ri të mërkurën.

As blloku i majtë dhe as ai i djathtë nuk fituan shumicën në zgjedhjet e 24 marsit, të cilat e lanë parlamentin të përçarë. Koalicioni i ri, i cili ka bërë së bashku 4 parti, ka gjithsej 82 deputetë nga 179 vendet e parlamentit. Mediat daneze raportuan gjithashtu se një aleancë e të majtëve dhe të gjelbërve mund të mbështeste koalicionin e Frederiksen.

“Mendoj se të gjithë do të habiten kur të shohin sa të vendosur jemi”- u shpreh kryeministrja në detyrë. “Programi ynë është në interes të popullit danez dhe brezave të ardhshëm”- theksoi ajo.  Në zgjedhjet e marsit, Social Demokratët regjistruan rezultatin e tyre më të dobët që nga viti 1903, por mbetën partia më e madhe deri më tani, me 38 vende. 

Pas votimit, bisedimet fillestare të drejtuara nga Mette Frederiksen dhe përpjekjet e mëvonshme të kryesuara nga partia liberale Venstre dështuan të arrinin një marrëveshje, përpara se Mbreti Frederik të rimandatonte kryeministren në detyrë për krijimin e qeverisë së re. Marrëveshja e koalicionit i jep Frederiksen një mandat të tretë si kryeministre në një kohë kur Presidenti amerikan Trump kërkon të marrë kontrollin e Groenlandës, territorit gjysmë-autonom të Danimarkës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme