Partia Socialiste feston 35-vjetorin, nderon me medalje ari figurat historike të themelimit

Politikë | 5 muaj më parë

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua ceremonia e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste . Në kwtw ceremoni, u nderuan me medalje ari një sërë figurash historike që kanë dhënë kontribut të veçantë në themelimin dhe konsolidimin e PS-së.

Mes të vlerësuarve ishin ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi, kryetari i parë i grupit parlamentar Namik Dokle, ish-deputeti dhe ministri Ethem Ruka, ish-kryetarja e grupit parlamentar Valentina Leskaj, si dhe drejtues të hershëm të PS në Tiranë si Musa Ulqini, Halil Lalaj, Besnik Baraj dhe Luan Shaullari.

Me medalje ari u nderuan gjithashtu themelues të tjerë si Hamdi Jupe, Anastas Anxheli, Maqo Lakrori dhe ish-deputetja Sajmira Pino, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre në vitet e vështira të tranzicionit ndihmuan në ngritjen e forcës politike progresiste që sot udhëheq vendin drejt integrimit europian.

Në kuadër të festimeve për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, ish-kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, Namik Dokle, u vlerësua me medalje nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për kontributin e tij në fillimet e partisë. 

Gjatë fjalës së tij, Dokle ndau reflektime mbi rrugëtimin politik të PS-së dhe mirënjohjen për socialistët ndër vite. Ai kujtoi momentin e themelimit të partisë, duke e cilësuar si një mision të qartë dhe një ëndërr të madhe: 

“35 vite më parë në këtë sallë u themelua PS me një mision të qartë dhe me një ëndërr të madhe. Ne që filluam politikën në atë kohë nuk kishim shkollë politike, por kishim idealizëm. Kam patur nderin të drejtoj grupin e parë të PS, një grup të jashtëzakonshëm, ku kisha 9 profesorë nga të gjitha degët.” 

Dokle theksoi se idealet mbeten, idetë ndryshojnë e transformohen, por thelbi i Partisë Socialiste është i pandryshueshëm: progresi dhe solidariteti. Ai e cilësoi këtë si ADN-në e PS-së, e cila ka mbetur e qëndrueshme ndër vite. 

Duke folur për medaljen e marrë, Dokle u shpreh me humor, “Këtë medaljen e pashë dhe thashë sa e bukur. Blendi Klosi ma tregoi dhe i thashë nuk kishte si mos të ishte e bukur, sepse ai që ka dizenjuar këtë medalje, ka dizenjuar edhe Shqipërinë, Edi Rama.” 

Dokle nënvizoi se sot, kur pyesim çfarë është Partia Socialiste, përgjigjja mbetet e njëjtë: një parti e progresit dhe solidaritetit, e cila ka ruajtur thelbin e saj që nga dita e parë e themelimit. 

Me medalje të artë u vlerësuan:

Rexhep Meidani, ish-president i Republikës, për maturinë akademike dhe besimin tek institucionet.

Ethem Ruka, ish-deputet dhe ish-ministër, për rolin e tij në themelimin e PS.

Namik Dokle, kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, për idealizmin dhe drejtimin e grupit të parë parlamentar.

Ylli Bufi, ish-kryeministër, për stabilizimin institucional dhe reformat e para ekonomike.

Valentina Leskaj, ish-deputete dhe ish-kryetare e grupit parlamentar, për modelin dinjitoz të gruas në politikë.

Besnik Baraj, ish-deputet dhe drejtues i PS në Tiranë, për kontributin në organizimin politik.

Hamdi Jupe, themelues i PS dhe ish-deputet, për rolin e tij në median e tranzicionit.

Anastas Anxheli, akademik dhe ish-deputet, për kontributin në ekonominë shqiptare.

Maqo Lakrori, themelues i PS dhe deputet për tre legjislatura, për kontributin në arsimin e lartë.

Halil Lalaj, kryetar i parë i PS në Tiranë, për organizimin politik dhe përfaqësimin e vlerave të PS.

Musa Ulqini, themelues dhe deputet për shtatë legjislatura, për kontributin në opozitën e re dhe modernizimin e PS.

Luan Shaullari, themelues i PS dhe ish-drejtues në Tiranë, për forcimin e administratës publike.

Sajmira Pino, ish-deputete, për organizimin e grave socialiste dhe rritjen e rolit të tyre në politikë.

Ceremonia u shënua si një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për figurat themeluese, duke nderuar kontributin e tyre në ngritjen e forcës politike që sot udhëheq vendin drejt integrimit europian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme