Grabitja në bankën e nivelit të dytë në Tiranë, arrestohet roja, dyshohet se la postin gjatë shërbimit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga rojen e një banke të nivelit të dytë pasi dyshohet për shpërdorim detyre, në vijim të hetimeve për zbardhjen e vjedhjes së ndodhur një ditë më parë në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar me ruajtjen e objektit bankar.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se ai është larguar përkohësisht nga vendi i shërbimit gjatë orarit të punës dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës, duke krijuar kushte për kryerjen e vjedhjes.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të vjedhjes.
“Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”.
Arrestohet roja i bankës, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se një ditë më parë, një grabitje ndodhi në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë në rrugën “Gjin Bue Shpata”, kur një person i maskuar pasi hyri në ambientet e bankës mori një shumë prej 10-15 mijë paundësh nga një klient i cili po depozitonte paratë.
Sipas dyshimeve paraprake, autori dyshohej se u largua nga vendngjarja me një skuter elektrik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




