Dita e 6 e protestës kundër resortit në Zvërnec, protestuesit mbrojnë pasuritë e natyrës
Qytetarët vijuan protestën kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec për të gjashtën ditë radhazi. Me flamuj shqiptarë dhe pankarta me mesazhe si “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Atdheu nuk është në shitje”, ata marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, dëmtojnë natyrën dhe trashëgiminë kulturore.
Protestuesit theksuan se kjo lëvizje është organizuar nga vetë qytetarët dhe pakënaqësia ndaj klasës politike.
Ndryshe nga ditët e tjera, protesta u zhvillua edhe në Korçë, Fier, Kukës, Vlorë, Elbasan dhe Durrës, ndërsa u bë thirrje edhe diasporës shqiptare që t’i bashkohet rezistencës.
Përveç kundërshtimit të projektit në Zvërnec, qytetarët ngritën shqetësime për emigracionin, korrupsionin, mbrojtjen e pronës, gjendjen e personave me aftësi të kufizuara dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Mes folësve ishin emigrantë, të rinj, aktivistë, aktori dhe figura publike që kërkuan më shumë përgjegjësi nga politika.
Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj gjithë klasës politike të 35 viteve të fundit, duke deklaruar se synimi i tyre nuk është vetëm ndalimi i projektit në Zvërnec, por edhe ndryshimi i mënyrës së qeverisjes në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




