Mbahet protesta e shtatë kundër ndërtimit në Zvërnec, qytetarët marshojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Ka nisur protesta e shtatë kundër ndërtimit në Zvërnec. Qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe kanë marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur përballë Kryeministrisë.
Protesta mbahet për të kundërshtuar planet për ndërtim në zonën e Zvërnecit, teksa qytetarët kanë shtuar kërkesat e tyre ditë pas dite, përfshirë dhe dorëheqje.
Një pjesë e qytetarëve kanë pritur sot në Bulevard protestuesit që marshuan nga sheshi “Skënderbej”. Ata mbanin flamuj kuqezi, teksa kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë dhe ndërtimit në Zvërnec. Nuk ka munguar dhe Himni i Flamurit, i cili është kënduar dhe duartrokitur nga protestuesit. Siç shihet nga pamjet e RTSH, në protestë marrin pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh. Protesta po mbahen edhe në qytete të tjera.
Në foltoren e vendosur para godinës së kryeministrisë qytetarë dhe aktivistë kanë shprehur revoltën e tyre.
“Jemi për Shqipërinë dhe jo për partitë politike”, u shpreh njëri prej protestuesve. “Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, nuk jemi kundër investimeve. Por nuk duam që Shqipëria të shitet, duam transparencë”, tha një tjetër qytetare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









