Tiranë/Furnizonin zonat e kryeqytetit me heroinë, arrestohen dy persona, sekuestrohet mbi 1 kg lëndë narkotike

Aktualitet | 5 muaj më parë

Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet dhe goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke finalizuar fazën e tretë të operacionit të koduar “Zonat”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe Zh. P., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, të dyshuar për furnizim dhe shpërndarje të drogave të forta.

Sipas Policisë, pas informacioneve operative dhe hetimeve të organizuara, automjeti me të cilin lëviznin të dy personat u ndalua në rrugën “Prokop Mina” në Tiranë. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan 1 kg e 71 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Hetimet paraprake dyshojnë se lënda narkotike do të ndahej në doza dhe do të shpërndahej në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tiranën e Re.

Ndërkohë, në fazat e mëparshme të operacionit “Zonat” janë sekuestruar edhe mbi 1 kg kokainë dhe janë arrestuar dy persona të tjerë. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme