Begaj pret kryeparlamentarin kroat: Kroacia, mik i besuar dhe mbështetëse e palëkundur e integrimit të Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur në një takim zyrtar kryetarin e Parlamentit Kroat, Gordan Jandroković, me të cilin ka diskutuar mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
Përmes një reagimi publik, Presidenti Begaj theksoi se gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar rolin e Parlamentit Kroat në ofrimin e mbështetjes politike dhe ekspertizës teknike për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.
“Falënderova Parlamentin Kroat për mbështetjen e tij politike dhe ekspertizën teknike në ndihmën e Shqipërisë për të zbatuar reformat e kërkuara për anëtarësim në BE”, u shpreh Begaj.
Presidenti e cilësoi Kroacinë një partner dhe mik të besuar të Shqipërisë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Zagrebit në mbështetje të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Kroacisë si një avokate e fortë e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes kroate në proceset integruese të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




