Aksident i trefishtë në Vlorë, humb jetën një person, plagosen pesë të tjerë
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë një viktimë është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Vlorë–Orikum, pranë fshatit Radhimë. Në përplasjen e fortë u përfshinë tre automjete, ndërsa njëri prej drejtuesve humbi jetën në vendngjarje.
Sipas të dhënave paraprake, pas përplasjes, dy prej mjeteve u përfshinë nga flakët dhe u dogjën pothuajse plotësisht.
Për shkak të dëmtimeve të rënda, viktima, Flamur Kabello 35 vjeç, mbeti i bllokuar në automjet, ndërsa u desh ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur nxjerrjen e trupit.
Nga aksidenti mbetën të lënduar lehtë edhe tre shtetas egjiptianë, të cilët u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Hetimet paraprake tregojnë se shkak i ngjarjes mund të ketë qenë pozicionimi i gabuar në karrexhatë dhe shpejtësia e automjetit Benz me targë AB248EB. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa ka shoqëruar drejtuesit e dy automjeteve të tjera.
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:00, në aksin rrugor “Vlorë-Orikum”, në Radhimë, automjeti me drejtues shtetasin V. R., 32 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. K., rreth 35 vjeç dhe me automjetin me drejtues shtetasin A. M., 31 vjeç. Pas përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi F. K. Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë (shtetas të huaj) në automjetin me drejtues shtetasin A. M., të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
2 drejtuesit e automjeteve, shtetasit V. R. dhe A. M., janë shoqëruar në Komisariat, për veprime procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




