Zhvillimi i IA, Gjermania ngre institut të posaçëm për vlerësimin e mundësive dhe rreziqeve
Një institut për sigurinë e inteligjencës artificiale është hapi më i fundit që qeveria e kancelarit gjerman Friedrich Merz ka ndërmarrë për vlerësimin e mundësive dhe rreziqeve që lidhen me modelet e avancuara të kësaj teknologjie, e cila po përjeton një zhvillim të paprecedentë.
Ngritja e këtij instituti u miratua nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, themeluar vitin e shkuar nga koalicioni qeveritar i konservatorëve të Merz dhe socialdemokratëve të qendrës së majtë për t’iu përgjigjur krizave dhe kërcënimeve të të gjitha llojeve, dhe në të do të përfshihen ekspertë vendas për analizimin e vazhdueshëm të performancës dhe rreziqeve të mundshme të sistemeve të inteligjencës artificiale dhe do të garantohet zbatimi i standardeve të harmonizuara ndërkombëtare.
Organi i ri do të përqendrohet në disa fusha që janë të integruara në kuadrin më të gjerë të sigurisë së vendit, siç janë siguria kibernetike dhe mbrojtja, ku do të vlerësohet nëse modelet mund të përdoren si mjete në sulmet kibernetike, apo edhe bashkëpunimi global, ku agjencia e re do të ndajë informacione me institute homologe në vendet e tjera.
Vetë kancelari Merz është një mbështetës i zëshëm i inteligjencës artificiale, të cilën e ka cilësuar si një mjet jetësor për nxitjen e produktivitetit industrial të vendit dhe modernizimin e administratës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




