Statusi i investimit në Sazan, Rama deklaron se ishulli nuk shitet dhe se negociatat vijojnë prej dy vitesh

Politikë | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar pozicionin juridik dhe administrativ të ishullit të Sazanit, duke specifikuar se ndryshe nga zona e Zvërnecit, për të cilën ekziston një marrëveshje pronësie, për Sazanin nuk ka ende një dokument të nënshkruar. Gjatë një komunikimi me gazetarët e Bashkimit Evropian, Rama hodhi poshtë zërat për shitjen e kësaj pasurie publike, duke nënvizuar se ishulli mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.

Sipas kreut të qeverisë, bisedimet e deritanishme që po zhvillohen prej një periudhe dyvjeçare, synojnë një model sipërmarrjeje të përbashkët dhe jo tjetërsim të pronësisë së tokës.

Kreu i ekzekutivit sqaroi se mungesa e një marrëveshjeje zyrtare në këtë fazë nënkupton se nuk ka ende as plane konkrete apo skica arkitekturore të paraqitura për ishullin:

“Ishulli i Sazanit nuk ka nevojë për një projekt pikë së pari, ka nevojë për një marrëveshje. S’kemi marrëveshje për ishullin e Sazanit sepse po negociojmë prej 2 vitesh. Kurrë s’kanë kërkuar ta blejnë ishullin. Edhe po të kërkonin, kurrë nuk na ka shkuar ndonjëherë nëpër mend alternativa për të shitur ishullin. Marrëveshja ka të bëjë me sipërmarrjen e përbashkët mes investuesit dhe Shqipërisë. Ishulli u përket shqiptarëve, Republikës së Shqipërisë. Aty ku do të ndërtohet, do të ketë pronësi të objektit. Po negociojmë.”

Kryeministri u shpreh kritik ndaj interpretimeve dhe imazheve të qarkulluara në opinionin publik lidhur me projektet e mundshme në ishull, duke i cilësuar ato si jashtë nga realiteti i bisedimeve teknike. Sipas Ramës, kuadri i bisedimeve është ndërtuar për të garantuar përfitime ekonomike për buxhetin e shtetit, pa cenuar sovranitetin mbi territorin:

“E kuptoni pse jam, si ta them, nuk jam as i zemëruar, por i frustruar deri në kockë sepse sheh gjithë këto foto, ishulli i Sazanit i ndërtuar me kulla Trump, këtej thuhet turp t’i vijë Edi Ramës! Është krejt e kundërta, po negociojmë. Shteti shqiptar do të fitojë prej kësaj. Për ishullin nuk kanë ende asnjë skicë të paraqitur sepse nuk kanë asnjë marrëveshje.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme