Ibrahimaj: Në 2023 e rrëzuam projektin e parë për shkak se ndërhynte në peizazh

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se projekti fillestar i paraqitur nga investitorët në vitin 2023 është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pasi nuk përmbushte standardet e kërkuara për zhvillimin e zonës.

E ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Ibrahimaj shpjegoi se projekti i parë parashikonte ndërhyrje në peizazh dhe në lagunë, si dhe tejkalonte standardet e intensitetit të ndërtimit.

Sipas saj, projekti i paraqitur në atë kohë kishte një vlerë investimi prej 4 miliardë eurosh, shifër që është bërë publike nga institucionet përgjegjëse. Ibrahimaj theksoi se, edhe nëse projekti do të realizohet, investimi nuk do të injektohet i gjithi menjëherë në ekonomi.

“Shifra është një shifër e cila ka qenë shoqëruese e projektit të parë të dorëzuar nga investitorët siç ne e kemi bërë publik në disa raste gjatë kësaj jave. Projekti i parë është dorëzuar në vitin 2023 dhe është rrëzuar nga Këshilli kombëtar i territorit dhe ujit pasi nuk përmbushte standardet e intensitetit të ndërtimit në atë zonë, ishte një projekt që parashikonte ndërhyrje në peizazh, ishte një projekt që parashikonte ndërhyrje në lagunë, pra ne, në vitin 2023 e kemi rrëzuar projektin dhe projekti që është dorëzuar ka pasur një shifër investimi prej 4 miliardë eurosh, kjo është shifra që ne kemi dhe kemi artikuluar. A do jenë këto 4 miliardë euro të investuara të gjitha në një vit? Sigurisht që jo. Ai do të jetë një projekt që do të marrë kohën e vet. Do të marrë kohën nga momenti i miratimit për tu zbatuar. Unë gjykoj që një projekt i këtij dimensioni do të dojë nga 7-10 vite për tu zbatuar i gjithi, këto 4 miliardë euro nuk do të hyjnë të gjitha në një vit në ekonominë shqiptare por do të shpërndahen në vite”, u shpreh ministrja.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje mesatare prej 3.5–4 për qind në vitet e fundit, ku turizmi ka qenë një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

Sipas saj, projektet turistike ndikojnë fillimisht në sektorin e ndërtimit dhe më pas gjenerojnë përfitime në turizëm dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Ajo përmendi edhe rritjen e eksporteve të produkteve ushqimore si një tjetër tregues pozitiv për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ekonomia shqiptare vitet e fundit është rritur me një normë nga 3.5-4 % dhe motor i rëndësishëm i kësaj rritje ka qenë turizmi. Ndërtimi nuk është një sektor që funksionon në vetvete. Një projekt turistik fillimisht hyn në sektorin e ndërtimit dhe më pas hyn në turizëm.  Eksportet e produkteve ushqimore kanë ardhur në rritje dhe ky është një tregues”, tha Ibrahimaj.                               

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme