Gjyqi ndaj Veliajt, kryebashkiaku mungon: Proces i parregullt. GJKKO pezullon seancën, mungojnë avokatët. Shtyhet për 16 qershor

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar sot seancën gjyqësore lidhur me çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, e cila u ndërpre pas problemeve me pjesëmarrjen e palëve në proces.
Seanca nisi me kufizime për mediat, pasi kamerat nuk u lejuan të qëndrojnë gjatë gjithë zhvillimit të saj. Në sallë ishte i pranishëm prokurori Ols Dado, ndërsa mungoi prokurori Altin Dumani. Po ashtu, avokati i Veliajt, Maksim Haxhiaj nuk ishte i pranishëm, pasi ndodhej në një tjetër seancë në GJKKO.
Veliaj nuk mori pjesë në seancë, duke u përfaqësuar nga avokati i tij, me pretendimin se nuk kishte arsye për të qenë i pranishëm dhe se procesi, sipas mbrojtjes, nuk ishte i rregullt.
Gjatë seancës u konstatuan mungesa të disa të pandehurve dhe avokatëve të tyre, pavarësisht se ata kishin qenë të njoftuar më parë. Si pasojë, gjykata vendosi të mos vijojë procesin, duke e pezulluar atë. Seanca e radhës është caktuar më 16 qershor në orën 10:00.
Gjykata gjithashtu vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn deri në seancën e radhës. Sa i përket fashikujve të dosjes, trupi gjykues vlerësoi se ato janë vënë në dispozicion të mbrojtjes, por theksoi se edhe materialet e pretenduara si të papërcjella duhet t’u vihen në dispozicion avokatëve.
Avokati Plarent Ndreca është shprehur kundër pezullimit të afateve të paraburgimit, duke e konsideruar të pajustifikuar këtë vendim.
“I mbrojturi prej meje nuk është bërë asnjëherë pengesë për vijimin e gjykimit, madje në deklaratën që lexuat ai thotë se nuk do paraqitet por do të përfaqësohet prej meje. Nuk ka pse i pezullohen afatet e paraburgimit”, tha Ndreca.
Mbrojtja nga ana e saj insistoi se njohja me provat, veçanërisht ato dixhitale, është thelbësore për garantimin e një procesi të rregullt ligjor.
Gjykata paralajmëroi gjithashtu katër avokatë për pengim të zhvillimit të seancës dhe la të hapur mundësinë e marrjes së masave ndëshkimore ndaj tyre.
Veliaj ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




