Trump: Do të shpërthejë ferri nëse Teherani përpiqet të pajiset me armë bërthamore

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një paralajmërim të fortë Iranit, duke deklaruar se “do të shpërthejë ferri” nëse Teherani tenton të pajiset me armë bërthamore.
Deklaratat e presidentit amerikan erdhën gjatë samitit të G7 në Francë, ku ai u takua edhe me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, dhe theksoi se qëndrimi i tij kryesor mbetet ndalimi i plotë i Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore. Sipas tij, marrëveshja e re e bën këtë objektiv të qartë dhe të detyrueshëm, ndërsa shtoi se në rast shkeljeje Irani do të përballej me pasoja të rënda.
Trump tha gjithashtu se Irani do të kishte arritur të pajisej me armë bërthamore vite më parë nëse SHBA nuk do të ishte tërhequr nga marrëveshja e mëparshme gjatë administratës Obama, ndërsa vlerësoi se udhëheqja aktuale iraniane është “e arsyeshme” dhe e gatshme për dialog. Presidenti amerikan mohoi se synon ndryshimin e regjimit në Iran, por deklaroi se zhvillimet e fundit kanë sjellë de facto ndryshime në lidership.
Ai u ndal edhe te situata në Lindjen e Mesme, duke kritikuar veprimet ushtarake të Izraelit në Liban dhe duke theksuar se kryeministri Benjamin Netanyahu duhet të tregojë më shumë përgjegjësi për të shmangur viktima civile, duke shtuar se jo çdo objektiv justifikon shkatërrimin e ndërtesave të tëra. Trump gjithashtu u shpreh se SHBA ka luajtur rol vendimtar në ekzistencën e Izraelit dhe se mban një marrëdhënie të mirë me Netanyahun, por me qëndrime të ndryshme për disa çështje rajonale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




