Projektligji për trajtimin e fëmijëve jashtë vendit mbledh 30 mijë firma qytetarësh 

Sociale | 5 muaj më parë

Projektligji për trajtimin shëndetësor të fëmijëve jashtë vendit, në rastet kur një gjë e tillë nuk mbulohet nga sistemi shëndetësor shqiptar, ka marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët. Për ta depozituar në Kuvend këtë projektligj janë mbledhur tashmë 30.000 firma, duke tejkaluar ndjeshëm pragun ligjor prej 20.000 firmash të kërkuara. 

Të gjitha nënshkrimet do të dërgohen pranë KQZ-së, e cila do të kryejë verifikimet e nevojshme dhe më pas do të depozitojë projektligjin në Kuvend. 

Anëtari i Grupit Nismëtar, Ardit Konomi, u shpreh për RTSH se “Shifrat e tregojnë vetë. Nuk ka qenë një periudhë e gjatë me të cilën u angazhuam; në fakt ka qenë rreth një muaj e gjysmë. Mendonim se do të ecim me ritme më të ngadalta, por në realitet ecëm shumë shpejt. Ky është një proces që na tregoi se sa më shumë të zgjaste, ndoshta çdo ditë prodhonte mbështetës të rinj. Në fund të fundit, kërkesa normative është 20.000 firma, ndërsa ne tashmë kemi arritur në 30.000, duke qenë të mbuluar në çdo aspekt.” 

Kjo nismë qytetare synon që të gjithë fëmijët e Republikës së Shqipërisë nga 0 deri në 18 vjeç, të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë vendit, të mbulohen financiarisht nga shteti shqiptar. 

Një mbështetje të madhe projektligji e ka pasur nga Korça, ku nisi kjo nismë qytetare. Vetëm në këtë qytet janë mbledhur 20.000 firma, ndërsa 10.000 të tjera janë mbledhur në qytete të ndryshme të vendit. 

Tashmë është radha e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të votuar projektligjin, në mënyrë që familjet shqiptare të mos detyrohen të kërkojnë më financime nga donatorë të ndryshëm për të kuruar fëmijët jashtë vendit. 

Gazetare: K. Koçi 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme